Pas një kontrate 13-vjeçare monopol dhe miliona euro të përfituara, SICPA, e dëbuar nga Zvicra për mashtrim dhe korrupsion, hyn sërish në tregun shqiptar përmes një kompanie arabe; kush po përfiton nga kjo marrëveshje e errët?

Pas 13 vitesh koncesion të majmë mbi pullat fiskale dhe barnat, kompania zvicerane SICPA, e cila u dënua për korrupsion në Zvicër dhe u detyrua të paguajë mbi 81 milionë franga gjobë, po rikthehet në Shqipëri. Jo për të dhënë llogari, por për të vazhduar biznesin, këtë herë nën maskën e një kompanie arabe.
Qeveria shqiptare, në vend që ta mbante larg një kompani me njollë ndërkombëtare për ryshfet dhe skandale, i hap derën nga pas. Krijohet një shoqëri e re me emrin ALBTrace CO, ku shteti shqiptar, përmes Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, mban 51% të aksioneve, ndërsa 49% i shkojnë një shoqërie nga Emiratet e Bashkuara Arabe; O&S Security and Solutions LLP.
Por kush është kompania O&S? Dokumentet tregojnë se 40% e saj zotërohet nga vetë SICPA Middle East Investments, një degë e së njëjtës kompani që ka përfituar nga koncesioni monopol për 13 vjet në Shqipëri. Pjesa tjetër zotërohet nga një filial i Bankës Qendrore të Arabisë Saudite. Kjo është një skemë klasike për të rimarrë kontrollin, pa u dukur zyrtarisht në qendër të kontratës.
Ndërkohë, situata në terren është alarmante. Bizneset që përdorin pulla fiskale, veçanërisht ato që operojnë me mallra akcize, përballen me një ngërç të paprecedentë në doganë. Pullat mungojnë. Mallrat ngecin. Kontrabanda dhe evazioni po lulëzojnë. Dhe Ministria e Financave, me një njoftim bosh, thotë se prodhimi i pullave do të nisë “brenda muajit mars”.
Kjo nuk është më thjesht një histori korrupsioni. Është një akt i pastër sfidimi ndaj çdo qytetari që paguan taksa, një rikthim i turpshëm i një monopoli të dështuar, dhe një shpërblim për një kompani që në vendin e saj është dënuar penalisht për korrupsion ndërkombëtar.
Pse po lejohet rikthimi i një kompanie të diskredituar?
Kush po përfiton nga kjo marrëveshje e errët?
Deri kur shqiptarët do të paguajnë pasojat e pazareve të padukshme në emër të "investimeve të huaja"?/Pamfleti
Lini një Përgjigje