
Disa vatra zjarri janë aktivizuar në rrethin e Krujës pasditen e sotme. Konkretisht në vendin e quajtur Barkanesh në Krastën e Krujës ku pasditen e djeshme një vatër zjarri dogji hektarë të tërë me pisha e shkurre është riaktivizuar sot, ndërsa dyshohet se është i qëllimshëm.
Po ashtu, në fshatin Nikël është aktive një vatër zjarri, e cila po përparon me shpejtësi e favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Ndërkohë në fshatin Brret një tel korenti i këputur nga amortizimi ka rënë në tokë duke shkaktuar një vatër zjarri e cila rrezikonte disa banesa në zonë, por falë ndërhyrjes në kohë të zjarrfikësve vatra është lokalizuar dhe po mbahet nën kontroll.
Në Barkanesh dhe në Nikël është e vështirë ndërhyrja me mjete për shkak të terrenit.
Edhe pse disa vatra zjarri po djegin hektarë të tërë me pyje e po shkatërrojnë florë e faunë që do të dojë dekada të ripërtërihet, asnjë punonjës i emergjencave apo i bashkisë nuk ndodhet në terren përveç repartit zjarrfikës i cili ka aktivizuar personelin.
Gjithashtu, vijon zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë. Raportohet se flakët janë duke u përhapur me shpejtësi dhe po digjen mbeturinat në këtë fushë. Zjarri ra gjithashtu edhe në kodrat e fshatit Lapardha të Bashkisë së Selenicës, ndërsa menjëherë janë angazhuar forcat zjarrfikëse për të ndërhyrë.
Ndërkohë pritet edhe ndërhyrja nga ajri për të mos rrezikuar përhapjen e flakëve drejt fshatit dhe banesave.
Dy vatra zjërri në distancë të shkurtër me njëra- tjetrën janë konstatuar këtë pasdite në afërsi të fshatit Borizanë të Krujës, mbi fabrikën e çimentos në afërsi të guroreve.
Dyshohet se zjarret janë të qëllimshme dhe mendohet se vihen për t’u hapur terren guroreve ose ndonjë guroreje të re. Edhe pse po punohet për shuarjen e flakëve, zjarri vijon të përhapet me shpejtësi i favorizuar nga era.
Ajo që e bën më shqetësuese situatën është se rreth 1 km nga vatra e zjarrit ndodhet depo e dinamitit, nga e cila furnizohen guroret. Nëse zjarri nuk do të vihet nën kontroll në kohë, atëhere situata do të agravohet, pasi flakët mund t’u afrohen depove të dinamitit.
Lini një Përgjigje