
Pasditen e sotme është aktivizuar një tjetër vatër zjarri në zonën e Kokodhiqit në bashkinë e Finiqit. Kjo zonë është shumë e vështirë për tu vënë nën kontroll, pasi nuk ka rrugë për të shkuar mjetet zjarrfikëse.
Punonjës të sherbimit zjarrfikës nga Finiqi, Delvina dhe Saranda po operojnë me mjete rrethanore për të shuar flakët. Ndërkohë, sipas raportimeve është vënë nën kontroll zjarri mbi Delvinë, ku janë djegur shumë drurë pyjorë.
Temperaturat e larta që vijojnë prej disa ditës dhe era që fryn ka favorizuar përhapjen e vatrave të zjarrit në Dropull dhe Finiq.
Një banor në fshatin Terihat në Dropull, i cili u rrezikua sot nga flakët, tregon momentet e frikshme kur flakët iu afruan banesave. Ai thotë se të gjithë banorët u rrezikuan, pasi flakët u favorizuan nga era e fortë, por fatmirësisht u shpëtuan nga forcat zjarrfikëse.
“Ishim këtu në momentin e zjarrit. Flakët erdhën menjëherë se i ndihmoi era. Rrezikuam të gjithë, por lavdi zotët erdhën edhe çunat e zjarrfikëses dhe i falënderoj për ndihmën që dhanë”, tregon ai.
Banori u bëri thirrje të gjithëve që të mos vendosin flakën qëllimisht, pasi dëmet janë serioze dhe mund të ketë pasoja tragjike.
“I falenderojmë nga zemra të gjithë dhe bëj thirrje ju lutem mos vendosni zjarr. Është e pamundur t’ia dalim vetë. Zjarri ishte shumë agresiv”, u shpreh ai për "TCH".
Zjarrfikësit dhe banorët janë përpjekur për rreth 3 orë të izolojnë flakët. Kisha e Shën e Premtes buzë rrugës nacionale u kërcënua seriozisht nga zjarri.
Flakët u përhapën në anën tjetër të rrugës nacionale duke djegur një hapësirë toke me kultura bujqësore, por aktualisht situata është nën kontroll sërish.
Lini një Përgjigje