Moti i paqëndrueshëm që ka përfshirë qarkun e Elbasanit gjatë orëve të mesditës ka sjellë probleme në disa akse rrugore dhe zona rurale, ndërsa autoritetet po mbajnë nën monitorim situatën në terren.
Reshjet e shiut, të shoqëruara me erë të fortë dhe në disa zona me rrebeshe, janë shfaqur me intensitet të ndryshëm në të gjithë qarkun. Pavarësisht kushteve atmosferike, akset kryesore kombëtare vijojnë të jenë të kalueshme dhe nuk raportohet për bllokim të plotë të qarkullimit.
Problematika më e dukshme është regjistruar në kthesat e Dragostunjës, ku rreth orës 14:00 pati rrëshqitje inertesh dhe prurje aluvionesh në rrugë. Për disa minuta lëvizja e automjeteve u zhvillua me vështirësi dhe me ritëm të ngadaltë, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë orientuar të tregojnë kujdes gjatë kalimit në segment.
Në zonë ndodhen efektivë të Policisë Rrugore dhe punonjës të firmës së mirëmbajtjes, të cilët po punojnë për largimin e materialeve nga aksi dhe për normalizimin e plotë të qarkullimit.
Një tjetër situatë problematike është regjistruar në Njësinë Administrative Karinë të bashkisë Peqin. Në fshatin Sinaballaj është shembur ura metalike tip “Bailey”, duke ndërprerë lidhjen rrugore për disa zona përreth.
Nga shembja e urës nuk raportohen persona të lënduar apo dëme në automjete. Dyshimet paraprake lidhen me kalimin e mjeteve me tonazh të rëndë gjatë natës, çka mund të ketë ndikuar në dëmtimin e strukturës.
Si pasojë e shembjes së urës, është ndërprerë qarkullimi për 9 fshatra të Peqinit, si edhe për disa zona të bashkisë Rrogozhinë. Banorët e zonës po përballen me vështirësi në lëvizje, ndërsa autoritetet lokale kanë nisur ndërhyrjen për krijimin e një kalimi të përkohshëm pranë urës së dëmtuar.
Sipas burimeve lokale, puna po përqendrohet në rikthimin sa më të shpejtë të aksesit për banorët dhe mjetet, ndërsa situata mbetet nën vëzhgim për shkak të motit të paqëndrueshëm.
Lini një Përgjigje