TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Shkurt 2025, 21:05

Rama i dha portin e Durrësit/ ‘Mini Dubai’, Budapesti anulon marrëveshjen 12 mld euro me Alabbar

Shkruar nga Pamfleti

Rama i dha portin e Durrësit/ ‘Mini Dubai’, Budapesti anulon

Nëse bëjmë një krahasim të hapave që u ndoqën nga Qeveria Orban, janë pothuajse të njëjtat me ato që ne i kemi parë të aplikohen në Shqipëri, pra pa një tender ndërkombëtar, u vendos e drejta e parablerjes, u favorizua investitori duke e shpallur pothuajse ‘strategjik’ dhe si i tillë duke u trajtuar me prioritet.

Budapesti ka nxjerrë jashtë kompaninë me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe ‘Eagle Hills’ ku bën pjesë edhe biznesmeni Mohamed Ali Alabbar. Pikërisht kjo kompani mori portin e Durrësit me një investim prej 2 mld dollarë që u shit nga Kryeministri Edi Rama si një projekt që nuk mund të refuzohej. Dhe ky investim do të realizohet në një sipërfaqe rreth 136 ha.

Ndërkohë në Budapest e njëjta kompani, pra Eagle Hills, do të realizonte në një zonë 85 hektarësh një projekt prej 12 mld euro. E ndërsa Qeveria e Viktor Orban kishte arritur një marrëveshje paraprake për t’i dhënë të drejtën kompanisë të blinte sipërfaqen dhe të niste zhvillimin e zonës, u njoftua se Qeveria tërhiqej nga kjo nismë.

Më konkretisht, bëhej fjalë për distriktin Rakosrendezo në Budapestin verilindor ku do të realizohej një projekt i quajtur “mini-Dubai” me një investim 12 miliardë euro. Plani i zhvillimit të Eagle Hills, i quajtur në fillim Mini Dubai dhe më vonë u riemërua Grand Budapest, përfshinte ndërtimin e rrokaqiejve deri në 500 metra, apartamente luksoze dhe madje edhe një xhami.

Muajin e kaluar,  shteti ia shiti Eagle Hills zonën e zhvillimit  për 51 miliardë HUF (130 milionë euro) pa shpallur tender, me çmimin e blerjes që do të paguhej deri në vitin 2039. Blerësi fitoi të drejtat e pronësisë mbi pronat në parcelë duke paguar 25% të çmimit të blerjes, sipas kontratës. Qeveria e shiti sipërfaqen 85 hektarë rreth 9 muaj  pas nënshkrimit të një marrëveshjeje ndërqeveritare me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shteti i dha dorë të lirë investitorit se çfarë të ndërtonte në kantier, i parë si mundësia e fundit e artë e zonës së pazhvilluar në kryeqytet, vetëm pak kilometra larg monumentit të Sheshit të Heronjve. Ai u klasifikua si një projekt i "interesit ekonomik kombëtar", duke e trajtuar me lehtësim të shpejtë të procedurave administrative dhe reduktim të pengesave burokratike.

Gjithashtu Qeveria në kontratë ra dakord të ndryshojë legjislacionin hungarez me vullnetin e investitorit të Emirateve të Bashkuara Arabe, si ndryshimi i korridoreve të fluturimit mbi qytet, pasi ndërtesat e larta të planifikuara në vend do të ishin penguar.

Si pjesë e marrëveshjes, shteti u zotua për një zhvillim të infrastrukturës prej 800 milionë euro rreth zonës. Investitorit të Emirateve të Bashkuara Arabe iu dha e drejta për të hequr dorë nga pagesa për parcelën nëse ky zhvillim nuk realizohej. Plani i qeverisë do ta kthente zonën e braktisur prej 100 ha në një të katërtën me apartamente luksoze dhe kullat më të larta në BE. Sipas qeverisë, ajo do të kontribuojë me rreth 2% në PBB-në e Hungarisë.

Nëse bëjmë një krahasim të hapave që u ndoqën nga Qeveria Orban, janë pothuajse të njëjtat me ato që ne i kemi parë të aplikohen në Shqipëri, pra pa një tender ndërkombëtar, u vendos e drejta e parablerjes, u favorizua investitori duke e shpallur pothuajse ‘strategjik’ dhe si i tillë duke u trajtuar me prioritet.

Por pavarësisht hapave dhe marrëveshjes, Qeveria Orban u tërhoq, ndërsa e gjithë kjo u cilësua si një fitore e opozitës. i pari që përshëndeti vendimin, edhe pse nga Qeveria nuk është thënë shumë, është kryebashkiaku i Budapestit Gergely Karacsony dhe krerët e opozitës, që e cilësuan një fitore të madhe për qytetin. Karacsony kishte paralajmëruar se do të fillonte një betejë ligjore kundër Qeverisë, pasi sipas tij, ajo nuk kishte të drejta të vendoste mbi një pronë që i përket qytetit të Budapestit. Karacsony i tha agjencisë së lajmeve Bloomberg se Budapesti do të "mbronte të drejtat, tokën dhe të ardhmen e tij" dhe hodhi poshtë argumentin e qeverisë se kryeqyteti nuk mund të kundërshtonte shitjen.

Gergely Gulyas nga zyra e Kryeministrit Viktor Orban njoftoi se Qeveria ka pranuar të drejtat e parablerjes së Budapestit për zonën 85 hektarëshe në kryeqytet, duke anuluar në mënyrë efektive projektin gjigant nga Eagle Hills me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gulyas tha se  zhvilluesi i pronave me bazë në Dubai u informua për vendimin, ndërsa shtoi se Budapesti, nëpërmjet kompanisë së saj bashkiake BKM që ndodhet, duhet të paguajë çmimin e blerjes dhe të pastrojë zonën, duke marrë në mënyrë efektive detyrimet e marra fillimisht nga investitori arab.

Gulyas nuk ofroi asnjë shpjegim për vendimin e papritur të qëndrimit të Qeverisë. Por ky vendim duket se ka gjetur të papërgatitur shumë nga aktorët politikë dhe shoqërinë civile që kundërshtoi marrëveshjen me kompaninë arabe.

Orban nuk njihet si politikani që pranon kontestimet dhe kundërshtitë nëse nuk sheh rreziqe të mëdha politike.

Qeveria, e cili e ka shpallur veten si mbrojtës i sovranitetit, është përballur me një reagim të fortë nga grupet civile, banorët dhe madje edhe nga votuesit, për shitjen e Budapestit. Duket se qeveria e pranoi se projekti i diskutueshëm mbart rreziqe të mëdha politike një vit përpara zgjedhjeve.

Të gjitha partitë në Asamblenë e Budapestit, përveç Fidesz, përshëndetën kthesën e papritur të qeverisë si një fitore. Megjithatë, David Vitezy, i mbështetur nga Fidesz në zgjedhjet për kryebashkiak të Budapestit, paralajmëroi se shteti mund të pengonte projektin, pasi ai zotëron rrjetin hekurudhor në zonën e zhvillimit. Kështu, suksesi i çdo projekti zhvillimor të paraqitur nga Budapesti do të kërkojë bashkëpunim ndërmjet palëve.

Plani i zhvillimit të qeverisjes vendore 2019, i njohur si Park City, parashikon ndërtimin e 8,000 deri në 10,000 shtëpive, së bashku me shërbime tregtare dhe hapësira të gjelbra me cilësi të lartë, në këtë zonë.

Karacsony përsëriti se Budapesti do të marrë përsipër të gjitha detyrimet e ndërmarra fillimisht nga miliarderi arab në marrëveshjen e blerjes dhe shitjes dhe se zhvillimi në Rakosrendezo do t'i shërbejë të ardhmes së qytetit në një mënyrë të hapur, transparente me përfshirjen e banorëve të tij.

Udhëheqësi i opozitës Peter Magyar mori gjithashtu meritën se detyroi qeverinë të tërhiqej.

Partia Tisza njoftoi nisjen e demonstratave kundër marrëveshjes, nëse Qeveria nuk do të tërhiqej.

Ai pohoi se qeveria u tërhoq për shkak të reagimit publik dhe theksoi se Partia Tisza do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të parandaluar keqpërdorimin e pasurive shtetërore nga kryeministri Orban dhe bashkëpunëtorët e tij. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje