
Shtëpia e fëmijëve zhvendoset në periferi, 3 kulla para Ambasadës Amerikane...
Një tjetër copë nga zemra e Tiranës po i dorëzohet ndërtimit me kulla. Këtë herë, trualli i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” dhe godina e Inspektoratit të Punës do të shemben për t’i lënë vend tre kullave të reja multifunksionale. Projekti është pjesë e një tjetër marrëveshjeje të Koorporatës së Investimeve Shqiptare të drejtur nga Elira Kokona, që u jep partnerëve privatë të drejtën për të zhvilluar pasuritë publike më të shtrenjta të kryeqytetit, në këmbim të disa godinave të reja të ndërtuara në periferi.
Zona ku ndodhen sot jetimët dhe institucionet inspektuese do të zaptohet nga 3 kulla ku do të ndërthuren banesa luksoze, zyra, qendra tregtare dhe parkime nëntokësore.
Ishin Edi Rama dhe Elira Kokona e koorporatës së Investimeve që shpallën me pompozitet sot konkursin për projektin e ri të shtëpisë së fëmijës.
“Kemi arritur të vendosim një projekt tjetër në radhën e këtyre projekteve, që janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna. Falë këtij procesi, do kemi një stadium të ri të përmasave europiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh”, deklaroi Rama.
Nga prezantimi i projekteve të ideuara nga 5 studio nga Portugalia, Italia, Danimarka dhe Meksika, fitues janë shpallur vetëm 2 prej tyre.
“Taller Hector Barroso + Studio B&L L.L.C + Progeen L.L.C + Doriana Bleta + Agim Seranaj + Ardian Paci”, është studio arkitekturore që do të ndërtojë shtëpinë e re të fëmijëve “Zyber Hallulli” në zonën e njohur si “Vilat Gjermane” në afro 5 mijë metra katrorë.
“Rojkind Arquitectos S.C + Son Engineering & Construction + Asab Sh.P.K + Motus + Julian Kasharaj”, është studio arkitekturore që i është besuar ndërtimi i 3 kullave luksoze në kryeqytet.
Zona në fjalë kishte kohë që lakmohej për ndërtime dhe “Pamfleti” e ka denoncuar disa herë. Pak kohë më parë ishte Kooproata e Investimeve që shpalli projektin. Pronat e përfshira në projekt janë ajo me sipërfaqe prej 7,107 m² truall. Brenda kësaj pasurie ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 1,411 m², në të cilën ndodhet godina e Shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli”.
Në projekt është përfshirë edhe prona me sipërfaqe prej 2,902.6 m2 truall, e cila është një njësi ndërtimore dhe truall në përdorim aktual të Inspektoratit Qendror.
Ndërkohë, prona e tretë është ajo me sipërfaqe 5,219 m2, e transferuar në pronësi të AIC, do të jetë për zhvillim publik për ndërtimin e një shtëpie të re për fëmijët e qendrës "Zyber Hallulli".
Pra godina e Inspektorateve dhe Shtëpia e re e Fëmijëve do të zhvendoset në rrugën "Gramoz Pashko". Trualli që ata lënë, me sipërfaqe të stërmadhe, pritet t’u jepet privatëve për të ndërtuar kulla. /Pamfleti
Psycho!
Më kujton atë Fabulën e Andersenit (mos gaboj)..,Rrobat e reja të Mbretit!(..po në fakt këta Sharlatanë e kanë lënë Lakuriq)!!! Tirana ka Emergjente trafikun e përditshme,duhet një Ministri më vete, vetëm për Studimin Largpamës të Senatorëve, Rreth rrotullime e Hyrje daljeve në e nga Tirana...!