Vetë DASH e tha se vjedhja më e madhe bëhet me tenderët dhe PPP-të. Thuajse në çdo prokurim ka dyshime për shkelje dhe në dosjet e SPAK kush ka firmosur ka përfunduar nën akuzë...
Prokuroria e Posaçme duket se ka futur në kolaps administratën. Shumë drejtorë dhe funksionarë kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve për abuzime me tenderët dhe kjo ka sjellë frikë në shumë dikastere.
Sipas informacioneve, asnjë zyrtar nuk pranon të jetë pjesë e Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave për të firmosur për tenderë. Frika e tyre është se nesër mund të jenë subjekt i SPAK.
Po ashtu, SPAK ka vënë nën përgjim një pjesë të madhe funksionarësh dhe kjo ka bërë që përveç firmosjes, shumë të tjerë të jenë të kujdesshëm me telefonatat. Ka dhe nga ata që kanë lënë punën dhe janë larguar, duke mos rënë pre e kërkesave të shefave për të firmosur tenderë abuzivë.
Një gjë e tillë në fakt u konfirmua nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhe dy ditë më parë. Ai e tha hapur se shumica nuk firmosin nga frika e SPAK.
“Ne kemi shumë vende pune. Unë ju ftoj të gjithëve të klikojnë në faqen e DAP-it, unë ju ftoj të gjithëve të provojnë dhe njëherë tjetër të punojnë në shtet. Unë e kuptoj se shumë janë të zhgënjyer. Kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet. Unë i kam bodrumet në depresion total se aty punonte ekonomia që kam gjetur, në bodrum. Në një shtet që vuante për ekonominë, ekonomia punonte në bodrum. Rrogat shumë të ulëta, po mundohemi t’i ngremë. Shumë shpejt të kalojmë në kushte të tjera. Duhet dhe ndihma juaj që njerëzit të aplikojnë. Janë 126 vende që presim, procedurat e DAP-it janë të tilla, marrin pak kohë”, tha Gonxhe.
Por kjo deklaratë e tij është konfirmuar dhe nga vetë Këshilli i Ministrave. Me një vendim të marrë dje, Rama ka vendosur që të pranohen në administratë dhe nga jashtë shërbimit civil.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Për vitin 2024, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është 62 (gjashtëdhjetë e dy) pozicione të kategorisë së mesme dhe të ulët drejtuese.
3. Pozicionet, në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues dhe për nivelin e ulët drejtues, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”, thekson qeveria.
Sipas informacioneve, çështja e tenderëve është kthyer në problem të madh dhe kjo është dhe një ndër arsyet që Rama këmbëngul tek inteligjenca artificiale. Vetë DASH e tha se vjedhja më e madhe bëhet me tenderët dhe PPP-të. Thuajse në çdo prokurim ka dyshime për shkelje dhe në dosjet e SPAK kush ka firmosur ka përfunduar nën akuzë, ndonëse shumë edhe nën presionin e shefave. Kjo duket se ka sjellë gropë tani në administratë, pasi askush nuk do të bëjë burg për drejtuesit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje