TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Dhjetor 2023, 21:26

Qeveria do të zëvendësojë Belerin? Rruga si zgjidhet ngërçi me Himarën dhe Greqinë

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria do të zëvendësojë Belerin? Rruga si zgjidhet

Gjykata Speciale Antikorrupsion ka zbardhur vendimin për rrëzimin e kërkesës së Fredi Belerit për një leje nga drejtoria e burgjeve në mënyrë që të betohej.

Vendimi është publikuar nga Drejtoria e Burgjeve që argumenton në këtë mënyrë drejtësinë e vendimit të tyre.

Pas zbardhjes së vendimit reagoi edhe kryeministri Rama, i cili thotë se mosdhënia e lejes nga ana e Drejtorisë së Burgjeve, rezulton një qëndrim korrekt ligjor. Ai shton se fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

Në këtë mënyrë, Rama bën të qartë se nuk do e shkarkojë Belerin nga detyra pa përfunduar gjyqi. Por edhe nënvizon se Jorgo Goro nuk mund të qëndrojë më në zyrën e kryetarit të bashkisë së Himarës. Kryeministri thotë se si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO-së është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, asesi e politikës apo kurrsesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.

Por si zgjidhet ky ngërç? Në vendimin e gjykatës, thuhet se zgjidhja është te gjetjet e një analize të modeleve europiane në zgjidhjen e ngërçeve të ngjashme, kur pushteti vendor nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën. Sipas gjykatës speciale, në këtë rast qeveria qendrore e cila ndërhyn për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve publike. Gjykata thotë se i takon qeverisë që të gjejë zgjidhje.

Burime pranë qeverisë thonë se ende nuk ka një vendim final por të gjitha opsionet janë të hapura. Ndërkohë duket që më i mundshmi është që të jetë qeveria ajo që do emërojë një person në krye të Himarës deri në fund të gjyqit. A do jetë kjo një mundësi e artë e qeverisë për të zgjidhur edhe ngërçin në Himarë edhe ngërçin me Greqinë. Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa fusha e lojës i hapet negociatave./ TCH

Lini një Përgjigje