TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Nëntor 2023, 19:00

Punonjësit e Drejtorisë së Transportit të zhytur në vjedhjen e makinave, Blendi Gonxhja “shet” vartësit dhe tenton të lajë veten

Shkruar nga Pamfleti

Punonjësit e Drejtorisë së Transportit të zhytur në

Një skandal i vërtetë ka dalë në dritë sot, pasi zyrtarë të Drejtorisë së Transportit dolën të përfshirë në një skemë vjedhjesh makinash.

Policia arrestoi një shtetas të quajtur Thanas Beko, pasi ai arriti të shesë 3 makina të marra me qira, falë ndihmës që mori nga Drejtoria e Transportit në Elbasan, e cila kreu të gjitha procedurat. Për këtë arsye u arrestuar një punonjëse e kësaj drejtorie, e identifikuar si Iva Bodurri. Ajo është juriste dhe akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Por Bledi Gonxhja është hedhur menjëherë në sulm, duke dashur të heqë përgjegjësinë nga vetja. Kreu i Drejtorisë së Transporteve e ka “shitur” punonjësen dhe madje tenton të justifikohet duke mohuar madje dhe deklaratën e policisë.

Në pamundësi të njohjes me aktet, për shkak të fundjavës e festave, sqarojmë se lajmi i sotëm se “kapet” punonjësja e rajonales Elbasan, me iniciale I. B., në kërkim, nuk është i vërtetë. Personi sapo ka mësuar nga portalet online për lajmin e së dielës, është kthyer menjëherë nga udhëtimi familjar dhe ka shkuar vetë në Komisariatin e Elbasanit ku ende pret me avokaten që t’i komunikohet çështja. Në padije për detaje të tjera, mund të sqarojmë se nga ana e drejtorisë rajonale Elbasan dhe çdo strukture tonën, jemi të hapur për çdo informacion e bashkëpunim me organet hetimore, me të dhënat e sistemeve dhe pamjet filmike. Për momentin mund të deklarojmë se personi tjetër i dyshuar, punonjësi me iniciale R. L., rezulton se ka vepruar privatisht, pa asnjë akses në shërbimin e ndërrimit të pronësisë së mjeteve, sepse nuk punon në atë sektor, pra jo në kushtet e abuzimit me detyrën! Ky person ka qenë me leje dhe në cilësinë e personit privat është paraqitur për marrje shërbimi. Dy nga rastet e aluduara lidhen me praktika të noterizuara, pra jashtë shërbimit tonë, ndërsa rasti i tretë lidhet me dyshim për përgjegjësi penale të shitësit pa autorizim korrekt. Për të treja rastet e dyshuara, sa i takon zinxhirit të shërbimit, RBS, procedurës së rajonales Elbasan, rezulton se nuk ka asnjë cënim të integritetit të sistemit operativ! Çdo veprim është i gjurmueshëm, çdo rekord regjistrohet në databazë, çdo dokument apo vetëdeklarim i pasaktë përbën përgjegjësi vetjake! Rastet e dyshuara, deri tani, nuk përfshijnë falsifikim apo tjetërsim brenda entit”, shprehet Drejtoria e Transportit Rrugor.

Por çfarë thotë policia: "U shpall në kërkim ditën e djeshme, në kuadër të operacionit “Fraud”, për shpërdorim të detyrës dhe për falsifikim të dokumenteve, kapet dhe ndalohet 30-vjeçarja, punonjëse e DRSHTRR Elbasan.

Dje, gjatë këtij operacioni, policia arrestoi një 37-vjeçar dhe shpalli një kërkim të tjetër punonjës të DRSHTRR Elbasan, të cilët bashkëpunuan për të shitur në kundërshtim me ligjin, 3 automjete të marra me qira, të cilave iu kishin hequr GPS.

Si rezultat i kërkimeve të zhvilluara në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ditën e djeshme, pas organizimit të operacionit policor të koduar “Fraud”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim I. B., 30 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë juriste në DRSHTRR Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyres” dhe “Fallsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçarja ka shpërdoruar detyrën, duke falsifikuar kontrata për pronësinë mbi 3 automjete të marra me qira, të cilat u shitën në kundërshtim me ligjin, nga shtetasit Th. B. dhe R. L. (Th. B., i arrestuar dje; R. L. punonjës i DPSHTRR Elbasan, ende në kërkim), pasi iu hoqën GPS.

Gjatë operacionit u sekuestruan 3 automjetet, ndërkaq vijon puna për kapjen e shtetasit R. L".

Lini një Përgjigje