Pas protestës së një dite më parë para Bashkisë së Shkodrës, banorët e Rrjollit zhvilluan sot një takim me kryebashkiakun Benet Beci për të kërkuar sqarime mbi projektin e kompanisë “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt, në Velipojë. Banorët pretendojnë se kompania ka zaptuar tokën e tyre.
Banorët deklaruan se kryebashkiaku Beci u ka komunikuar se bashkia nuk ka kompetencë mbi zonën në fjalë dhe u ka kërkuar të paraqesin një kërkesë me shkrim për të marrë informacion mbi lejen e ndërtimit të dhënë për Bashkim Ulajn.
Banorët thanë se do ta vijojnë protestën dhe se, nëse nuk marrin zgjidhje, do t’i drejtohen Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Ata shtuan se nuk presin më reagim nga institucionet shtetërore.
“Kryetari i bashkisë na priti mirë. Ai nuk kishte asnjë lloj kompetence, ai tha e kam 0 kompetencën. Kuptohet tha që është e padrejtë po ligji është bërë i tillë tha që na kanë hequr kompetencat për territorin bregdetar. Kompetenca ime është tha që të informoj se çfarë pozicioni tha kam lidhur me lejen e ndërtimit. Na tha bëni një kërkesë me shkrim dhe unë t’jua jap të gjithë përgjigjen sipas informacionet.
Unë e di që informacioni e tij është zero. Nuk pres që ai të na japë një përgjigje për atë që kërkoj unë. Për dëgjesën publike tha nuk është kompetencë e bashkisë. Unë e di që kërkesa për të bërë një dëgjesë publike është e bashkisë. Nuk presim asnjë shpresë nga ministra dhe kryeministri. Ne do të shkojmë deri para ambasadave të BE dhe asaj amerikane. Ose të na largojnë prej këtu, ose do të vritemi”, tha Prekë Molla, përfaqësues i banorëve të Rrjollit.
Kjo është dita e 8-të që banorët e Rrjollit protestojnë kundër ndërtimit të resortit në Velipojë, siç pretendojnë ata, në tokat e tyre.
Lini një Përgjigje