Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.
Për shkak të protestës që zhvillojnë fermerët në Greqi, aksi rrugor Kakavijë-Janinë nuk do të jetë funksional për qarkullimin e automjeteve nga ora 18:00 deri në orën 21:00 (me orën shqiptare).
Policia e kufitare e Kakavijës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.
“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.
Greqia është “paralizuar” prej katër javësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni.
Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.
Ata pretendojnë se qeveria nuk u ka disbursuar në kohë subvencionet bujqësore, si edhe kompensimet për dëmet nga përmbytjet, stuhitë, sëmundjet e bagëtive dhe problemet strukturore në bujqësi. Sipas tyre, shumë pagesa të premtuara sipas programeve bujqësore dhe skemave të mbrojtjes kanë mbetur të pezulluara ose të paplotësuara.
Pas 24 ditësh me traktorë në rrugë, qeveria dhe fermerët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për t’u ulur në tryezën e dialogut dhe për të diskutuar zgjidhje konkrete për sektorin primar. Sipas burimeve, dy refuzimet e mëparshme të fermerëve për dialog kanë krijuar bindjen se momenti i duhur për një takim mund të jetë humbur.
Zyrtarët qeveritarë, përfshirë Kryeministrin, vazhdojnë të përsërisin thirrjen për dialog. Nga ana tjetër, fermerët theksojnë se kushtet për negociata nuk janë ende të përshtatshme, veçanërisht gjatë festave. Megjithatë, kanali i komunikimit mes dy palëve ekziston, edhe pse mbetet i fragmentar dhe jo bindës për fermerët.
Burime qeveritare bëjnë me dije se çmimi i energjisë elektrike për bujqësinë mund të ulet në 8.3 cent për kilovat-orë për dy vitet e ardhshme. Fermerët e shohin këtë pozitivisht, por kërkojnë që ky çmim të garantohet për një periudhë më të gjatë. Qeveria argumenton se pas dy vitesh çmimet e energjisë do të bien më tej, duke ofruar kushte edhe më të favorshme.
Sa i përket naftës bujqësore, fermerët theksojnë se qeveria ka parashikuar 100 milionë euro në buxhet, një shumë e njëjtë me atë të viteve të kaluara. Qeveria, nga ana e saj, pohon se përmes rishikimit të tabelave të kulturave dhe përdorimit të tepricave buxhetore, fondet mund të rriten ndjeshëm, madje përmes një aplikimi të përgatitur nga AADE.
Gjithashtu, janë ndarë 160 milionë euro nga subvencione të pashpërndara dhe auditime, prej të cilave: 80 milionë euro për grurin, pambukun dhe jonxhën 80 milionë euro për blegtorinë
Fermerët kërkojnë rritjen e kësaj shume, në mënyrë që të sigurohen çmime më të mira për hektar.
Opozita ka kritikuar trajtimin që qeveria u bën fermerëve, duke bërë thirrje për transparencë më të madhe, pagesa në kohë të ndihmës dhe “ndërhyrje” për të ulur kostot e prodhimit.
Të dhënat e Eurostat hedhin dritë mbi arsyet e pakënaqësisë: Greqia renditet e dyta nga fundi në BE për pagën mesatare vjetore, ndërsa në terma të fuqisë blerëse është në vend të fundit. Sindikatat flasin për presion të padurueshëm ekonomik dhe kërkojnë rritje reale të pagave.
Rruga, jo aksi. Aks i thonë boshtit.