
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi ka folur lidhur me protestën e djeshme të organizuar nga Partia Demokratike para Kryeministrisë.
Prençi ka kritikuar ashpër mënyrën e reagimit të forcave të rendit ndaj protestuesve, duke e cilësuar ndërhyrjen si të pajustifikuar dhe jashtë standardeve të proporcionalitetit.
“Protesta e djeshme… veprimet e policisë ishin përtej proporcionalitetit”, u shpreh Prençi, duke theksuar se ndërhyrja ndaj turmës në momentet e para ka qenë provokuese.
Ai bëri një krahasim me protesta të mëparshme në vend, duke përmendur ngjarjet e vitit 1997 dhe ato të 21 janarit 2011, që sipas tij janë konsideruar ndër më të dhunshmet në historinë e tranzicionit.
Prençi iu referua edhe raporteve të institucioneve monitoruese ndërkombëtare për Policinë e Shtetit.
Sipas tij, përdorimi i mjeteve si topat e ujit mund të justifikohej vetëm për të neutralizuar flakët e shkaktuara nga mjete ndezëse, por jo ndaj turmës në tërësi.
“Në momentin që ti e përdor ndaj turmës kur ende nuk është shpërndarë protesta, ti e ke irrituar vetë, e ke provokuar”, deklaroi ai për “Ora News”.
Prençi kritikoi gjithashtu reagimin e institucioneve pas protestës, duke vënë në dukje se fokusi është vendosur kryesisht te policët e lënduar, ndërsa kërkoi analizë më të gjerë për mënyrën e menaxhimit të situatës, përfshirë rastet e ndalimeve të të miturve.
“Unë jam bërë polic në moshën 18 vjeç… Kam ngrënë gurë, kam ngrënë armatime… për 28 vite”, tha ai, duke theksuar se flet nga përvoja e gjatë në radhët e policisë dhe në drejtimin e forcave operacionale.
Lini një Përgjigje