Prokuroria e Vlorës ka zbardhur urdhër arrestin për kandidatin e koalicionit "Bashkë Fitojmë", Fredi Belerin. Sipas dokumentit zyrtar, Beleri është arrestuar në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim. Ai akuzohet për blerje votash.
“Është arrestuar duke premtuar dhe dhënë para në këmbim të votës”, thuhet në dokument.
Beleri u ndalua nga policia mbrëmë në mesnatë, bashkë me 3 të tjerë, ndërkohë që ka qenë prej ditësh në hetim. Shoqëruesi i Belerit, Pano Kokoveshi është vënë në pranga për korrupsion në zgjedhje në bashkëpunim. Ndërkohë, janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa banorë të Himarës.
Ndalimi është bërë pak pas mesnate, rreth orës 00:15 nga policia teksa ishte në restorantin e tij. Beleri dhe 3 të tjerët janë dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës. Mësohet se ndalimi i Fredi Belerit është bërë pas një hetimi të prokurorisë së këtij qyteti, konkretisht i prokurorit Anton Pali, pasi kishte indicie për sa i përket veprimeve të Belerit dhe anëtarëve të stafit të tij. Në operacion kanë marrë pjesë Forcat 'Shqiponja' por edhe ato të FNSH. Në pamje duken 6-7 forca policie që i marrin me shpejtësi personat, ndoshta edhe për të shmangur ndonjë incident apo irritim me mbështetës të Belerit. Për momentin çështja po hetohet nga policia dhe prokuroria e Vlorës. Nëse do të ketë elementë të korrupsionit në zgjedhje, për shitblerje të votës, çështja pritet që t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme SPAK në Tiranë.
Lini një Përgjigje