Janullatos është akuzuar më herët se mban krahun e Moskës pasi Kisha e Shqipërisë është ndër kishat që nuk e kanë njohur Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës...
Nisin të ftohen raportet e kreut të Kishës Ortodokse Anastas Janullatos me Rusinë. Ai është akuzuar shpesh se ka mbajtur krahun e kishës ruse gjithë këto kohë, sidomos sa i takon luftës në Ukrainë. Por duket se raportet janë krisur mes tyre. Sipas “Ortodox Times”, Janullatos ka kritikuar Patriarkanën e Moskës, duke e akuzuar atë se po përfshihet në Afrikë.
“Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktiviteteve jokanonike të Patriarkanës së Moskës në Afrikë përmes dy letrave drejtuar Patriarkut Teodor të Aleksandrisë. Kryepeshkopata e Shqipërisë bëri publike këto letra, të datës 7 shkurt dhe 14 mars, ku evidentohej shqetësimi për infiltrimin e Patriarkanës së Moskës në Afrikë. Siç komenton ai, “ka pasur një veprimtari të papranueshme antikanonike”, që cenon unitetin dhe misionin e Kishës Ortodokse. Duke iu drejtuar Patriarkut Teodor, Kryepeshkopi i Shqipërisë theksoi se “ajo që përshkruani me detaje konfirmon se brenda Kishës po zhvillohet një përçarje e dukshme”. Megjithatë, ai sqaron se kundërshton taktikën e "hakmarrjes" dhe kërkon thirrjen e një Asambleje Panortodokse, "për të trajtuar të gjitha çështjet që kanë lindur në Ukrainë, Afrikë dhe Kisha Ortodokse në mbarë botën në përgjithësi’”, theksohet në artikull.
Në letrën e dytë të datës 14 mars, Mitropoliti Anastas përsëriti se ai nuk ishte dakord me "veprimet e Patriarkanës së Moskës në Afrikë". Ajo i konsideron metoda të tilla si të papranueshme dhe të dënueshme. “Në vend të kësaj, ai mbrojti dialogun konstruktiv dhe zgjidhjen paqësore, duke kundërshtuar deponimin e hierarkëve dhe përhapjen e tensionit përmes kanaleve mediatike midis kishave ortodokse”, vijon artikulli.
Janullatos është akuzuar më herët se mban krahun e Moskës pasi Kisha e Shqipërisë është ndër kishat që nuk e kanë njohur Autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Ukrainës që i ka dhënë Patriarkana Ekumenike. Gjithashtu Kisha Shqiptare vazhdon të kërkojë që të mblidhet Këshilli Pan-Ortodoks, duke qenë në përputhje me qëndrimin e mbajtur nga Kisha e Rusisë. E gjithë bota e njeh Kishën Ukrainase si të ndarë nga ajo ruse, por jo Janullatos.
Në prill të 2018-ës, Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirili, zhvilloi vizitën e parë në Shqipëri, ndërsa më 31 tetor të të njëjtit vit, është njoftuar takimi i fundit i ambasadorit rus në Tiranë, Aleksandar Karpushin me kryepeshkopin Janullatos. /Pamfleti
Lini një Përgjigje