
Situata në rrafshin kriminal nuk ka ndryshuar shumë. Në vorbullën e luftës mes grupeve kriminale, e gjejnë veten shpeshherë policët. Ata duhet të mbrojnë ligjin dhe bëjnë detyrën. Kjo i ekspozon ndaj kërcënimeve të krimit.
Duhet thënë, se grupet kriminale nuk kanë asnjë rezervë as kur bëhet fjalë për njerëzit e ligjit të cilët nëse nuk arrijnë t’i blejnë, i kërcënojnë.
“Shumë shkurt, atentatet bëhen sepse shiten policët. Atentatorët diku marrin informacion, sepse është e pamundur që ata ti njohin të gjithë policët. Atentatet janë bërë ndaj policëve në sektorë të ndryshëm, OPGJ, patrulla, shqiponja, krime madje dhe ndaj rrugores. Kjo do të thotë se ata marrin informacione diku, madje shumë të sakta. Dikush i shet policët”, u shpreh polici.
Personi që flet në kushtet e anonimatit, punon prej vitesh në Policinë e Shkodrës. I gjendur përballë frikës se në një të ardhme të afërt mund të ketë fatin e kolegëve të tij, ka vendosur të flasë dhe të adresojë problematikat që kanë mbërthyer Policinë e Shkodrës. Shpesh, të dorëzuar nga lidhjet e zgjatura të bandave brenda këtij institucioni.
“Policët shiten nga kolegët e tyre. Është e pamundur që një epror që vjen nga rrethet të ketë dijeni për të gjithë policët, për punën, për lidhjet, për banesat, etj. Policet shiten nga kjo strukture e kalbur që janë disa policë, që kanë vite në punë dhe që janë të lidhur me krimin dhe kriminelët. Janë ata policë që nga njëra anë e mbajnë mirë me shkelësit e ligjit dhe nga ana tjetër u lëpihen eprorëve për të mos i transferuar. Kështu tërhiq e mos e këput krijojnë dhe balanca financiare. Atentati më i rëndë ishte ai ndaj kolegut Gjergj Ndershtiqaj”, u shpreh polici.
Në vazhdën e akuzave për inkriminimin e Policisë nga ana e Dumanit, efektivi i intervistuar në anonimat ngre akuza tepër të forta për policët e zonave.
Ai thotë se janë pikërisht këta të fundit që shesin kolegët e tyre dhe u japin të gjithë informacionet e nevojshme kultivuesve të drogës për grupin e policëve që u asgjësojnë bimët narkotike.
“Një SPZ ka informacion për çdo gjë që ndodh në zonën që mbulon, qoftë ndërtim pa leje, qoftë person në kërkim, qoftë dhe parcela me kanabis. Një SPZ mbron personin në kërkim duke i thënë ik se sot do vijmë kontroll banese, mos dil se ka kontrolle deri dhe mbille këtu se nëse të vjen avioni, me koordinatat e Guarda di Finanza, t’i shkulim 10 bimë e t’i bëjmë foto dhe pjesën tjetër mbaje. Një polic me 6 muaj punë nuk e njeh zonën, nuk e njeh territorin dhe nuk ka gjë në dorë, por shiten dhe çohen viktima duke u bërë mbulesë, mashë, për tradhtarët e vërtetë”, u shpreh polici.
“Kemi frikë nga kolegët. Frikë nga frikacakët që për të kërcënuar punonjësit e policisë terrorizojnë familjet tona. Çfarë faji kanë familjet tona? Kemi frikë nga ato fytyra, kolegë, që të nesërmen e atentatit vijnë e të qurraviten duke na ngushëlluar, ndërsa një ditë më pare na kanë shitur te kriminelët duke i dhënë informacione se ku banojmë, ku pimë kafe madje dhe itinerarin se ku lëvizim”, përfundoi ai./TCH
Lini një Përgjigje