Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj debateve për kufizimin e kompetencave të saj, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje ligjore që cenon pavarësinë e institucionit do të përbënte rrezik për funksionimin e shtetit të së drejtës.
Në raportin vjetor për vitin 2025, SPAK thekson se do të konsideronte “veçanërisht shqetësuese” çdo nismë ligjore apo institucionale që synon të kufizojë mjetet procedurale apo pavarësinë e saj në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit, ndërhyrje të tilla do të rrezikonin funksionimin kushtetues të Prokurorisë së Posaçme dhe do të cenonin aftësinë e saj për të hetuar në mënyrë të barabartë si zyrtarët e lartë ashtu edhe qytetarët e zakonshëm.
Presioni politik dhe sfidat e hetimit
Në dokumentin e publikuar, SPAK pranon se hetimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit në nivele të larta mbetet një nga sfidat kryesore të institucionit. Një tjetër shqetësim i evidentuar është retorika politike dhe mediatike, e cila sipas prokurorisë mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit.
Sipas raportit, kjo klimë mund të shërbejë edhe si faktor që rrit rrezikun e kërcënimeve ndaj prokurorëve nga grupet kriminale.
Rriten referimet nga policia
Në raportin e këtij viti vihet re edhe një ndryshim në raportet mes SPAK dhe Policisë së Shtetit. Ndryshe nga viti 2024, kur kishte kritika për mungesë referimesh, gjatë vitit 2025 hetimet e nisura nga referimet e policisë janë rritur me rreth 70 për qind.
Ndërkohë, qytetarët vijojnë të jenë një burim i rëndësishëm kallëzimesh për veprat penale, ndërsa politika ka reduktuar ndjeshëm ankesat penale. Sipas të dhënave të raportit, kallëzimet nga përfaqësues të politikës janë përgjysmuar gjatë vitit të fundit.
Ulje e ndjeshme e arrestit në burg
Raporti i SPAK trajton edhe debatin publik mbi përdorimin e masës së “arrestit në burg”, një çështje e komentuar shpesh nga kryeministri Edi Rama, i cili ka deklaruar se Shqipëria renditet ndër vendet me përdorimin më të lartë të kësaj mase.
Sipas të dhënave të prokurorisë, gjatë vitit 2025 është regjistruar një rënie e ndjeshme e kësaj mase sigurie. Numri i arrestit në burg ka zbritur nga 236 masa në vitin 2024 në 110 masa gjatë vitit 2025.
Nga këto, rreth 4 për qind lidhen me vepra korrupsioni, ndërsa afro 21 për qind me vepra të krimit të organizuar.
Vendimet e gjykatës dhe përgjimet
Gjatë vitit 2025, gjykatat kanë shpallur fajtorë dhe kanë dënuar 197 persona në çështjet e hetuara nga SPAK. Nga këta, 108 janë dënuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën.
Në 21 raste të tjera, gjykata ka shpallur të pafajshëm të pandehurit, duke rrëzuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.
Raporti evidenton gjithashtu përdorimin e përgjimeve si një nga mjetet kryesore të hetimit. Gjatë vitit të kaluar janë përgjuar 3004 pajisje telefonike, nga të cilat 1738 me vendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër me autorizim të prokurorit ose me vendime për zgjatje të përgjimeve.
Sipas SPAK, të dhënat e siguruara nga telefonat e sekuestruar përbëjnë rreth 70–75 për qind të provave totale në hetimet e institucionit.
Çështje të pazgjidhura
Megjithatë, raporti evidenton edhe disa probleme strukturore që mbeten pa zgjidhje. Mes tyre përmendet çështja e statusit të prokurorëve të SPAK pas përfundimit të mandatit të tyre, një temë që ende nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare në kuadrin ligjor.
Lini një Përgjigje