Pavarësisht se në orët e fundit të 2025-ës, Policia e Shtetit publikoi një plan masash, qoftë në drejtim të rendit, ashtu edhe sigurisë rrugore, duket se nuk është parandaluar përgjakja e rrugëve
Pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e dy aksidenteve tragjike që kanë ndodhur në ditët e para të 2026-ës. Bilanci i viktimave, pa përfshirë aksidentet me plagosje, është i frikshëm, referuar faktit se gjithçka ka ndodhur në më pak se 48 orë, nga aksidenti tragjik i aksit Tepelenë-Gjirokastër në atë të fshatit Gocaj, në aksin Lezhë-Shkodër.
Viktimat e fundit janë Petrit dhe Elona Florini, çift bashkëshortësh nga Puka, që udhëtonin me një automjet tip Benz. Aksidenti ndodhi në afërsi të fshatit Gocaj, ndërsa mësohet se shkak i aksidentit të rëndë, ishte rrëshqitja e automjetit ‘Benz’ që si pasojë e kushteve atmosferike ka rrëshqitur në korsinë tjetër duke u përplasur me makinën tip ‘Porche’.
Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes Petrit dhe Elona Florini. Petriti mësohet se ishte efektiv policie në Pukë. Ndërkohë, të plagosur kanë mbetur dy fëmijë të mitur dy dhe 6 vjeç, dhe nëna e tyre, që ndodheshin në mjetin ‘Porche’.
Ky aksident i ndodhur mëngjesin e 2 janarit në aksin Lezhë-Shkodër, pason atë që ndodhi në orët e para të 2026-ës në aksin Tepelenë-Gjirokastër, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeve humbën jetën 3 persona.
Viktima të këtij aksidenti ishin Klejdi Myftari 24 vjeç, Martin Dulaj 25 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 27 vjeç.
Mësohet se Marin Dulaj po udhëtonte me një automjet tip “Mercedes Benz” së bashku me të fejuarën e tij Ardisa Demiri 19 vjeçe, e cila aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore për jetën.
Ndërsa Klejdi Myftari udhëtonte së bashku me Anxhelo Ruçin, djalin e shefit të komisariatit të Tepelenës, si dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.
Ndërkohë në rrugën e Kombit ka ndodhur një tjetër ambulancë, e cila nga raportimet është përmbysur, ndërsa si pasojë janë përfshirë në aksident edhe disa automjete të tjera.
Në aksidentet e ndodhura ditën e sotme (2 janar), qoftë ai në afërsi të fshatit Gocaj edhe ai në rrugën e Kombit, duket se shkaku janë kushtet atmosferike.
Qarku i Lezhës është përfshirë nga reshje të shumta shiu, çka duket se kanë ndikuar në rrëshqitshmërinë e rrugës. Ndërkohë në rrugën e Kombit raportohet prezenca e ngricave.
Pavarësisht se në orët e fundit të 2025-ës, Policia e Shtetit publikoi një plan masash, qoftë në drejtim të rendit, ashtu edhe sigurisë rrugore, duket se nuk është parandaluar përgjakja e rrugëve. Ndoshta, referuar eksperiencave të mëparshme në natën e ndërrimit të viteve apo ditët e para të Vitit të Ri, Policia duhet të ishte më prezente në rrugët e vendit, me synim parandalimin e ngjarjeve të tilla rrugore, që marin jetë njerëzish. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje