
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur pasditen e sotme në aksin Fier-Patos, ku u raportuar lidhur me një përplasje mes strukturave të Operacionales, hetuesve të BKH-së dhe njerëzve të Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiak i Mallakastrës.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit pohon se pjesëtarë të Operacionales dhe hetues të BKH-së janë dhunuar.
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier - Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Lini një Përgjigje