
Ditën e sotme në orën 10:00, Kolegji Zgjedhor do të mblidhet për të shqyrtuar ankimin e Partisë Demokratike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
PD kërkon që të mos njihet vendimi i Komisionit Rregullator, duke pretenduar se procesi i zgjedhjeve është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore dhe parregullsi.
Relatore e seancës do të jetë Lutfije Celami ndërsa anëtarët Entela Shedula, Alma Kodraliu, Ornela Naqellari dhe Enkel Peza. Demokratët u shprehën kundër vendimit të Komisionit Rregullator më 28 gusht, që i vendosi 'vulën' procesit të 11 majit dhe certifikoi zgjedhjet që shpallën Edi Ramën fitues të 83 mandateve.
Sipas PD-së, këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave ndërkombëtare monitoruese, përfshirë OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit.
Kolegji Zgjedhor është instanca më e lartë që mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin, por që mund të rrezikojë dëshirën e socialistëve për të mbledhur Kuvendin në datën 12 shtator.
Gjithsesi, data përfundimtare do të përcaktohet nga Presidenti i Republikës, i cili ka afat deri më 20 shtator për të nxjerrë dekretin.
Rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, që nxori fituese PS me 83 mandate, u shoqërua me një proces të gjatë ankimimesh, duke vonuar për 4 muaj certifikimin përfundimtar të rezultatit. Madje, në disa prej qarqeve votat edhe u rinumëruan, por pa asnjë rezultat në favor të opozitës.
Lini një Përgjigje