Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e shkarkimit nga detyra të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa.
Vendimi është marrë me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo, pas shqyrtimit të ankimit të Mustafës në dhomë këshillimi.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 13 janar 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Shkëlqim Mustafa për probleme të pasurisë. Ai u vlerësua pozitivisht për figurën dhe me nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
Shkëlqim Mustafa e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në ‘98-ën.
Po atë vit u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ushtroi detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 deri në momentin e shkarkimit, e ushtroi funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Lini një Përgjigje