
Qytetarët kanë dalë sërish në rrugë për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Ata u mblodhën te shkolla “Fan Noli”, teksa më pas u nisën drejt Ministrisë së Arsimit.
Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e ministres së Arsimit pas ngjarjes si dhe ndërrimin e emrit të shkollës, duke i vendosur emrin e të ndjerit.
“Ministrja pasi shkatërroi shëndetësinë, tani duket se ka qëllim të shkatërrojë dhe arsimin. Të japë dorëheqjen dhe të mbajë përgjegjësi për këtë ngjarje”, tha një qytetar.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 18 nëntor pak metra larg shkollës “Fan Noli” ku dy të miturit studionin.
Siguria në shkolla është një nga kërkesat që paraqitet në protestat e mbajtura, ndërsa një prej qytetarëve tha se duhet një ndryshim jo thjesht të një ministri, por një politike në raport me sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Ditën e premte, 22 nëntor, u zhvillua seanca gjyqësore në ambientet e një spitali privat në Tiranë ndaj 14-vjeçarit që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani.
Gjyqtarja Lorena Çabej pasi dëgjoi palët, vendosi masën “arrest me burg” për Mario Përlleshin.
I mituri akuzohet si i dyshuar për kryerjen veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”.
Lini një Përgjigje