
Tensionet zhvendosen te Kuvendi...
Pas shpërthimit të dhunës përpara Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën molotovë dhe policia reagoi me gaz lotsjellës dhe mjete të blinduara me ujë, protesta e opozitës është zhvendosur te Kuvendi i Shqipërisë.
Turma është rigrupuar përpara godinës së Parlamentit, duke mbajtur të njëjtën energji dhe kërkesa për dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Tensionet kanë nisur menjëherë sapo turma ka arritur para Parlamentit. Turma ka shtyrë policët dhe këta të fundit janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Fillimisht ishin deputetët Luçiano Boçi dhe Flamur Noka që u përplasën me policët, duke i akuzuar se po provokonin turmën. Më pas pati shtyrje dhe përplasje mes turmës dhe efektivëve.
Policët reaguan menjëherë duke hedhur gaz lotsjellës dhe kjo bëri që turma të shpërndahej. Por tensionet kanë vijuar; më pas janë hedhur tymuese dhe sende të forta ndaj trupës së policisë. Momentalisht, pjesa para Kuvendit është e mbuluar nga tymi. Vetë kreu i PD, Sali Berisha, ka shkuar në selinë e PD. Më pas policia nxorri makinat e ujit, duke shpërndarë turmën.
Ndërkohë, zona te Kryeministria është shpallur “zonë krimi”. Aty u hodhën dhjetëra molotovë dhe fishekzjarrë, teksa policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet. Po ashtu janë shoqëruar disa protestues.
Lini një Përgjigje