TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Korrik 2024, 11:22

Pas arrestimit të Ilir Beqajt, shkarkohet nga detyra drejtoresha e SASPAC

Shkruar nga Pamfleti
Pas arrestimit të Ilir Beqajt, shkarkohet nga detyra drejtoresha e SASPAC
Drejtoresha e SASPAC Joana Suli

Largimi i saj është bërë i ditur nga Kryeministria, e cila ka shpallur gjithashtu vendin vakant për drejtor të përgjithshëm të agjencisë që koordinon shpërndarjen e fondeve të BE-së.

Pas arrestimit të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nga SPAK, në lidhje me dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), është shkarkuar drejtoresha e kësaj agjencie, Joana Suli.

Largimi i saj është bërë i ditur nga Kryeministria, e cila ka shpallur gjithashtu vendin vakant për drejtor të përgjithshëm të agjencisë që koordinon shpërndarjen e fondeve të BE-së.

Arsyet e shkarkimit të Sulit nuk janë ende të qarta, por ka pasur shenja pakënaqësie ndaj saj gjatë 7 muajve të fundit nga kryeministri, ministrat dhe kryetarët e komisioneve parlamentare ku ajo raportonte. Joana Suli u emërua në krye të SASPAC më 15 dhjetor të vitit të kaluar. Para këtij posti, ajo ka shërbyer si asistente në paradhomën e Mirela Kumbaros në Ministrinë e Kulturës dhe më pas si koordinatore te Bashkëqeverisja.

Për më tepër, më 30 korrik 2023, 30-vjeçarja nga Durrësi u emërua drejtoreshë e Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë në Ministrinë e Brendshme. Përveç kësaj, ajo ka pasur edhe një karrierë të mëparshme si koordinatore në institucione të tjera shtetërore. Shkarkimi i saj ndodhi në kontekstin e hetimeve që lidhen me korrupsionin dhe menaxhimin e fondeve nga Agjencia që ajo drejtonte.

Pas arrestimit të Ilir Beqajt, shkarkohet nga detyra drejtoresha e SASPAC

 

Arrestimi i Beqajt dhe abuzimi me fondet e SASPAC

Lidhur me aferën e fundit me abuzimet e fondeve të SASPAC, më 4 korrik u vu në pranga Ilir Beqaj dhe veç tij në pranga u vu dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II). Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.

 

saspac

Lini një Përgjigje