TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Tetor 2024, 17:39

Parashikimet në Kodin Penal, ja sa vite burg rrezikojnë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Shkruar nga Pamfleti

Parashikimet në Kodin Penal, ja sa vite burg rrezikojnë Ilir Meta dhe

Prokuroria e Posaçme ka ngritur 3 akuza të rënda ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Ai u arrestua sot, teksa dyshohet i përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Por nëse deri në fund, konkretizohen këto akuza nga gjykata, Meta rrezikon të mbyllet gjatë në qeli.

Pastrimi i parave dënohet nga pesë deri në dhjetë vjet burg. Korrupsioni 4 deri në 12 vite burg dhe fshehja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Të njëjtat akuza janë ngritur edhe ndaj Monika Kryemadhit.

Parashikimet në Kodin Penal

Neni 287- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;

ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;

d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

- dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.

Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Lini një Përgjigje