
Gripi dhe viruset e tjera janë në qarkullim dhe siç mjekët kishin paralajmëruar, po përhapet me shpejtësi edhe një nëntip i gripit A, i cili po prek më tepër fëmijët.
Skënder Brataj tha se situata nuk i ka zënë të papërgatitur dhe dihej që ajo që kaloi Australia dhe bota do të vinte. H3N2 që është dominues pësoi edhe mutacionin K, i cili nuk ka kaluar ende dhe “as nuk ka arritur në kulm”. Brataj tregon se cilat janë simptomat e këtij varianti, ku më të prekurit janë fëmijët 0-5 vjeç.
"Gripi zakonisht shfaqet menjëherë, me temperaturë mbi 39, me dhimbje të trupit, pothuajse çdo pjese të trupit, dhimbje fyti, kollë të thatë në tri ditët e para dhe ajo që është tipike, temperatura edhe pse mund të trajtohet, qëndron gjithmonë e lartë, jo te 40, por 38-39 e gjysmë, reziston pak më shumë. Për këtë arsye është më tipike se te llojet e tjera të viruseve se në këtë periudhë janë edhe viruset e tjera të stinës, madje ajo që është më tipike fare për fëmijët e vegjël është RSV, i cili shkakton edhe pasoja shumë herë te fëmijët duke shkaktuar bronkiolite sepse ata akoma nuk e kanë të zhvilluar sistemin respirator si tek i rrituri dhe janë më të ekspozuar. Sigurisht që duhet të jemi më të kujdesshëm te fëmijët dhe të moshuarit, nëse tek i rrituri themi mos u shqetëso po kaloi tri ditë me temperaturë, te fëmija është pak më ndryshe dhe te të moshuarit“, tha ai për “Tv Klan“.
Këshillat për të shmangur prekjen nga gripi janë të njëjtat që zbatonim gjatë Covid-19.
“Larja e duarve, ajrimi i ambientit në të cilin qëndrojmë, përdorimi i maskës, dezinfektimi i ambienteve në të cilat rrimë, mbrojtja kur teshtijmë ose kollitemi sepse është përhapje e virusit që mund të shkojë deri në 2 metër nëpërmjet kollës ose teshtimave që janë tipike të përhapjes së virusit”, u shpreh ai.
Brataj parashikon se nga ky grip mund të preken rreth 200-300 mijë njerëz. Sigurisht që jo të gjithë do t’i drejtohen spitalit, ndaj ai jep disa këshilla për ta kaluar në shtëpi.
“Pushimi është kryesori sepse indet janë të lodhura, nuk përballojnë dot ngarkesë tjetër dhe duhet të rrish në banesë, ndoshta edhe shtrirë në pjesën më të madhe të stërmundimit. Ajrimi i ambientit, shpeshherë. Nëse jemi në shtëpi, sigurisht që është e vështirë të qëndrosh i shkëputur në një dhomë tjetër, të paktën të kalosh atë fazën virulente, dy ditë, me libër, me televizor, me çfarë të duash që e kalon kohën më kollaj, pastaj është mjekim simptomatik, lëngje, paracetamol për temperaturën dhe duhet të kemi parasysh që temperatura është mekanizëm mbrojtës, nuk është e keqja e organizmit", shtoi Brataj.
Mjeku thekson se kohëzgjatja e gripit është 5-7 ditë. Ai thekson fort mospërdorimin e antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut.
“Kujdes antibiotikët! Jo antibiotikë pa shenja të qarta infeksioni! Përcakton mjeku, por sidomos analizat se jemi mësuar që po nuk kaloi temperatura, sidomos te fëmija është tipike, duhet t’i japësh antibiotikë. Në asnjë mënyrë nuk duhet dhënë antibiotiku sepse siç e thashë, temperatura e lartë tregon që është aktivizuar sistemi imunitar", përfundoi Brataj.
Lini një Përgjigje