
Ai mësohet se ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në orën 15:00.
Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, është paraqitur sërish ditën e sotme në SPAK. Ai mësohet se ka hyrë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në orën 15:00. Ai ka qëndruar për rreth një orë dhe më pas është larguar.
Arsyeja e paraqitjes së tij në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ishte sepse SPAK ka rihapur dosjen e pezulluar për personat e paidentifikuar në rastin “Xibraka”.
Kjo gjë u konfirmua dhe ga vetë Olsi Rama, i cili pas daljes nga SPAK, deklaroi se dha shpjegimet e tij lidhur me çështjen që po heton SPAK.
“Dhashë shpjegimet e mia. Bëra detyrën time si qytetar. Por do doja të më pyesnit më shumë për Partizanin. Për çështjen Xibraka, si person në dijeni. Sqarova situatën”, deklaroi Olsi Rama.
Opozita e ka përmendur shpesh emrin e vëllait të kryeministrit Rama për përfshirje në rastin e “Xibrakës”. Kujtojmë se Gazment Bardhi ka deklaruar dhe ka kërkuar hetim nga SPAK, lidhur me një përfshirje të mundshëm të vëllait të kryeministrit në udhëtimin me disa persona të akuzuar për çështjen “Xibraka”.
Ndërkohë Olsi Rama ka bërë kallëzim në SPAK për Gazment Bardhin për shpifje për akuzat e deputetit se është i lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Vëllai i kryeministrit u paraqit dhe para dy javësh në SPAK, më datë 28 qershor. Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Olsi Rama tha se ishte për të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa mohoi që të jetë i përfshirë në çështjen 'Xibraka'.
“Nuk e di se çfarë ka vendosur prokuroria për kallëzimin tim. Do e shoh dhe do ju njoftoj nëse është e domosdoshme. E kam bërë kallëzimin se është bërë një manipulim i madh. S’kam asnjë çerek lidhje me bosët e Xibrakës.
Dëgjo, ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Ia kam marrë një personi në atë kohë për të bërë dy ditë udhëtim në Selanik. I kam mohuar të gjitha, se nuk ka asgjë të vërtetë. Do të vij sa herë të jetë nevoja”, tha ai më 28 qershor, pas daljes nga SPAK.
Kujtojmë gjithashtu se hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.
Lini një Përgjigje