
Deri para 1 muaji, janë dhuruar e shitur qindra pasuri “për 5 para”, ndërsa tani që SPAK ka nisur goditjet pa dallim, ministri Petrit Malaj, ka frikë nga prangat e po kërkon të zbatohet ligji pastaj të firmosë, duke i kërkuar, që ulja e çmimit të bëhet me akt normativ nga parlamenti, ose me ndryshim të vendimit të qeverisë...
Krijimi i ministrisë së trefishtë të Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, emërimi i Blendi Gonxhes në krye të saj dhe kalimi në administrim të kësaj ministrie i shumë pasurive shtetërore, po zbulon qëllimin e vërtetë të kryeministrit Edi Rama në këtë lëvizje.
Prej 1 viti ministër, Gonxhja i Bablokut ka krijuar dhe zbatuar një skemë pazaresh e batërdie me fondet e pronat, sidomos me pasuri aktive me vlerë dhe nuk po ndalet, duke i dhuruar me koncesione, shitje me kontrata me negociim e me ankande fiktive.
Në informacionin e siguruar nga Pamfleti, thuhet se ministri Blendi Gonxhe, ka nisur pazarin, për të shitur para zgjedhjeve, 800 pasuri shtetërore të quajtura “jo aktive” dhe ato ndërrmarrje komplekse, njësi, objekte e troje, që janë dhënë për 20 vite me kontrata “1 Euro” e në përdorim të përkohshëm.
Pasuritë e piketuara për t’u shitur, janë në qarkun e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Gjirokastër, Lezhës, Dibrës, Beratit e Kukësit, me një planifikim klientelist blerësish të paracaktuar, ndërsa ankandet e shitjes do jenë formale.
Zyrtarisht, shitja e këtyre 800 pasurive, do trajtohet si gjoja nevojë për të hequr nga barra e shtetit pasuritë jo funksionale e pa leverdi; për të futur në buxhet të ardhura financiare të ngurosura prej vitesh, por dhe gjoja për t’u zhvilluar nga privatët për zhvillim ekonomik e punësime.
Ndërsa qëllimi i vërtetë i shitjes së tyre, në prag të zgjedhjeve të 11 majit e në të gjitha qytet e 12 qarqeve, është nxitim për grabitje të pasurive shtetërore e joshje për grumbullim votash, nëpëmjet atyre “të fortëve” dhe familjeve me ndikim në zona.
Themi që është grabitje, për faktin se grupi i punës i caktuar nga ministri Blendi Gonxhja, për akt-vlerësimet e pasurive që do shiten, ka konkluduar dhe propozuar, që ato të dalin në shitje me 30%-40% të çmimeve fikse që janë përcaktuar me vendim qeverie.
Kjo skemë e ministrit Blendi Gonxhe, është kundërshtuar nga Ministria e Financave, si dikaster që drejton veprimet për pronat shtetërore që duhen privatizuar, transferuar, transformuar apo dhënë me qera, koncesione e në përdorim të përkohshëm.
Ministria e Financave, i ka kërkuar ministrit Gonxhe, që pronat e piketuara për t’u shitur, së pari duhet të argmentohet që për ato nuk ka nevojë shteti; dhe së dyti, nuk mund të shiten me vlerë me të vogël se çmimet për m2 truall, objekt e pajisje, të përcaktuara me vendim qeverie.
Për këtë, ministria e Gonxhes si administruese e 800 pasurive që do t’i nxjerrë në shitje, t’i kërkoj Këshillit të Ministrave, të miratojë akt-normativ të veçantë, ose ndryshim të Vendimit Nr. 926, datë 29.12.2014 të qeverisë dhe Udhëzimit Nr. 10, datë 12.4.2018 të Ministrit të Financave, për të përcaktuar shitjen e këtyre pasurive me 30-40% të vlerave të përcaktuara.
Deri para 1 muaji, janë dhuruar e shitur qindra pasuri edhe “për 5 para”, ndërsa tani që SPAK ka nisur goditjet pa dallim, ministri Petrit Malaj, ka frikë nga prangat e po kërkon të zbatohet ligji pastaj të firmosë./Pamfleti
Lini një Përgjigje