Kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi, është paraqitur mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Pas rreth dy orësh në SPAK, Doshi tha është pyetur për zgjedhjet në Rrogozhinë.
“Është normale të na thërrasë prokuroria. Kam bërë një takim në Rrogozhinë unë dhe personi që kam takuar ka qenë në përgjim. Kaq, a ke dijeni, pyetën”, u shpreh Doshi.
Ndërsa t pyetur nëse do të votonte për shkrirjen e SPAK, ai u përgjigj: “Asnjëherë!
"E kam mbështetur reformën në drejtësi dhe deputetët tonë edhe sot, edhe në mandatin tjetër do ta mbështesin SPAK”., tha kreu i PSD.
Ai u shfaq i pashoqëruar dhe i buzëqeshur teksa futej në ambientet e këtij insitucioni, teksa së fundmi ka deklaruar se do të rikthehet në politikë duke kandiduar si deputet ndonëse është shpallur “non grata” nga SHBA.
Doshi ka qenë deputet me PS për tre mandate, 2005, 2009, 2013. Ndërkohë edhe pse garoi në zgjedhjet parlamentare të 2021, Doshi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar më 25 prill 2021.
Në vitin 2018, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia ndaluan udhëtimin në Amerikë atij dhe familjes, për shkak se u akuzua “për përfshirje në korrupsion të përmasave të gjëra.”
Lini një Përgjigje