
Rasti daton në periudhën e qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta, në rolin e Presidentit, refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm dhe Kryeministri Rama mori vetë kompetencat e ministrit...
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka bërë një deklaratë të fortë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke zbuluar se një nga punonjësit e institucionit që ai drejton ishte përballur me frikë pas një auditimi të lidhur me kryministrin.
Shehu theksoi se për natyrën e punës që bën KLSH, mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për të garantuar integritetin dhe pavarësinë e auditimeve.
“Kur e kam marrë detyrën, jam hasur që në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv.ministri z. Gent Caka. Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri. Më pas më tha se shqetësimi nuk ishte për Gent Cakajn, por për faktin se nuk mund t’ia transmetonte ato Kryeministrit, pasi ai ishte autoriteti drejtues në Ministrinë e Jashtme”, deklaroi Arben Shehu.
Shehu kujtoi se rasti daton në periudhën e qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta, në rolin e Presidentit, refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm dhe Kryeministri Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas i delegoi Cakajt. Në atë kohë, sipas Shehut, punonjësi kishte shprehur frikë se auditimi i Kryeministrit mund t’i sillte pasoja personale.
“Për shkak të situatave që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit jam i gatshëm t’ju vë në dispozicion të gjitha praktikat. Në një letër që më ka drejtuar, ai ka shkruar se do t’iu kërkojë institucioneve ndërkombëtare që mua, si Kryetar i KLSH, të më jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës, sepse ai vetë nuk kishte mundësi për shkak të frikës”, tregoi Shehu.
Duke iu drejtuar deputetëve të Komisionit, kreu i KLSH-së nënvizoi se situata të tilla tregojnë nevojën për garanci ndërkombëtare ndaj pavarësisë së auditimeve shtetërore. “Tani, çfarë duhet të bëj në këto situata? Këto janë raste konkrete. Unë i fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit. Deri në minutën e fundit që do të jem në detyrë, do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, u shpreh Arben Shehu.
Daklarate e pakuptimte.
Shqiperi e mjera Shqiperi. Kapitullim total i institucioneve nga te cilat presim transparence. Nuk i afrohemi dot kryeministrit thote kreu KLSH. Ne cfare vendi jetojme????