
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ngriti sot shqetësimin në Kuvend se Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim. Kreu i KLSH-së nuk përmendi me emra se cilat janë këto institucione publike.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim.
“Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim,” tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, teksa shtoi se ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje.
I pyetur nga deputetët e opozitës se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore.
Shehu tha se ligji është i qartë, por ai nuk zbatohet dhe për këtë theksoi se KLSH-ja do të drejtohej në në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve.
“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së.
Lini një Përgjigje