
Kanë nisur reshjet e para të borës në disa zona malore të vendit, nga Kukësi në Korçë dhe Dibër.
I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar dhe reshje bore në lartësi mbi 600 m.
Si pasojë e kushteve të motit të gjitha akset nacionale rrugore vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe borës duke krijuar vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve në disa segmente rrugore. Konkretisht ka rrëshqitje gurësh në segmentet Ura e Topojanit- Shishtavec, Kolosjan- Peshkopi, Shemri- Qaf Mali, Dragobi -Valbonë.
Nga reshjet e dëborës është përfshirë edhe "Rruga e Kombit" në segmentin Fushë Dukagjin -Tunel i Kalimashit duke krijuar një shtresë 3 deri 5 cm.
Probleme me qarkullimin e automjeteve janë shfaqur në aksin rrugor Maqellarë – Peshkopi dhe Peshkopi – Kukës.
Policia e Shtetit ka apeluar që drejtuesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore.
"Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore", thuhet në njoftimin e policisë.
Raportohet se shumë mjete kanë mbetur të bllokuar për shkak të pranisë së madhe të borës dhe duke mos qenë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë, e kanë patur të pamundur të lëvizin drejt qytetit të Peshkopisë.
Reshje bore kanë rënë gjithashtu në Tropojë, Has, Bulqizë, Elbasan, Korçë, në zonat malore të qarkut të Shkodrës, në Qafën e Llogorasë në Vlorës, në Peshkopi ku në Kalanë e Dodës dëbora ka arritur deri në 40 cm.
Vazhdojnë me intensitet të lartë reshjet e dëborës në zonat malore të Librazhdit. Në Fushë Studë trashësia e dëborës ka arritur deri në 20 cm. Temperaturat aktualisht kanë zbritur deri në -3 gradë, ndërsa pritet të zbresin ende gjatë natës.
Kompanite kontraktore po punojnë për pastrimin e dëborës dhe kriposjen në gjitha akset e qarkut të Korçës, si Qafë-Thanë-Lin, Korçë-Ersekë (aksi i vjetër), Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Maliq-Lozhan-Moglicë.
Gati për të pritur turizmin e bardhë janë dhe fshatrat alpin në veri të vendit si: Boga, Thethi, Tamara, Lëpusha dhe Vermoshi. Bëhet me dije se është kryr kriposja në akset: Hani i Hotit – Tamarë – Vermosh dhe Bogë-Theth.
Reshjet e dëborës kanë përfshirë dhe Pukën e Fushë-Arrëzin ku trashësia shkon në 8 cm, por deri më tani nuk raportohen problematika. Rrugët janë të kalueshme, ndërsa këshillohet përdorimi i gomave dimërore.
Lini një Përgjigje