
Gazetarja Klodiana Lala ka folur për operacionin e fundit të SPAK ndaj organizatave kriminale në vend, duke u ndalur veçanërisht te grupi i Suel Çelës.
Gazetarja u shpreh se SPAK ka goditur disa grupime kriminale, si pasojë e një bashkëpunimi të fortë me autoritetet ndërkombëtare.
Ajo shtoi se operacionet e SPAK janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si Shkodra, Durrësi dhe Elbasani ndërsa paralajmëroi se në muajt në vijim do të ketë edhe goditje të tjera ndaj grupeve kriminale.
Lala u shpreh gjithashtu se, pas pendesës së Nuredin Dumanit, Suel Çela u shpall në kërkim nga drejtësia për porositjen e vrasjeve dhe për drejtimin e aktivitetit kriminal, duke theksuar se dy aktivitete kryesore të këtij grupimi janë eliminimi i kundërshtarëve dhe trafiku i drogës.
Gazetarja tregon dy momentet kryesore të shfaqjes së Suel Çelës, aktiviteti për të eliminuar kundërshtarët (atentati ndaj Ardjan Çapjas) dhe trafiku i drogës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të BE.
“SPAK prej 1 viti e gjysmë është duke goditur disa nga grupimet apo organizatat që kanë vepruar brenda e jashtë vendit, për shkak të një bashkëpunimi më të drejtpërdrejtë e të fortë me autoritetet e huaja ligjzbatuase.
Janë goditur disa grupe apo organizata kriminale ku sigurisht ka pasur apo janë identifikuar edhe elementë të ndryshëm të drejtësisë apo policisë të implikuar në këtë grupime. Ishte fillimisht Shkodra, më pas Durrësi, Elbasani, në një farë mënyre në vazhdën e këtyre hetimeve që vijojnë dhe që edhe në muajt në vijim do të ketë sërish goditje të reja. Ishte një operacion i pritshëm. Nuk diheshin detajet e ngjarjet kriminale apo informacioni i detajuar, por SPAK ishte duke vijuar hetimet për këto organizata, ishte një lajm i pritshëm për gazetarët e kronikës.
SPAK është ndalur në disa episode të organizatës së drejtuar nga Suel Çela, një emër jo i panjohur për drejtësinë apo median. Ai u bë i njohur në media në momentin që ndodhi incidenti tek tregu agro-ushqimor në pronësi të babait të tij ku u përplas me policinë.
Në atë kohë në Prokurorinë për Krimet e Rënda humbën edhe disa prova që e lidhnin me këtë ngjarje. Ai ia hodhi drejtësisë dhe më pas është përfolur edhe për ngjarje të rënda kriminale. Pas pendesës së Nuredin Dumanit, ai u shpall në kërkim nga drejtësia sepse kishte porositur vrasje. Çela rezultonte në arrati ku sipas prokurorëve vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal.
Dy kanë qenë momentet, aktiviteti për të eliminuar kundërshtarët dhe trafiku i drogës nga Amerika e Jugut drejt vendeve të BE.
Në aktivitetin në Shqipëri në shënjestër të këtij grupimit ishte Ardian Çapja, në dosje episodi i parë që përmendet është atentati ndaj tij, një ngjarje e rëndë ku Çapja doli në oborrin e banesës dhe u qëllua me snajper nga një largësi e madhe, nga kodra e Krastës. U gjet edhe automjeti i përdorur dhe arma e krimit. Çapja i mbijetoi atentatit pasi autori nuk kishte fushëpamje të qartë.
Dyshohet se Suel Çela kishte pajtuar një snajperist shumë të rrezikshëm, Prekë Kodra nga Shkodra, i dyshuar edhe për ngjarje të tjera të rënda.
Ishin instaluar kamera nga grupet kriminale me rezolucion të lartë që kontrollonin grupin e Çapjave, i mbanin në vëzhgim, pamje që iu dërguan Prekë Kodrës që më pas i përdori për të kryer atentatin”, tha Klodiana Lala për “News 24”.
Lini një Përgjigje