TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Mars 2025, 17:52

Në Gjadër do të akomodohen të dëbuarit nga Italia, opozita kundër: Duhet rishikuar marrëveshja Rama-Meloni

Shkruar nga Pamfleti

Në Gjadër do të akomodohen të dëbuarit nga Italia,

Opozita në Itali e konsideron të paligjshëm dekretin e Qeverisë Meloni për të kthyer qendrën e emigrantëve në Gjadër si qendra akomoduese për emigrantët që janë të ndaluar në Itali, pasi iu është refuzuar kërkesa për azil. Madje në dekretin e Melonit parashikohet që kjo kategori emigrantësh mund të qëndrojë në Shqipëri deri në 18 muaj përpara se të riatdhesohen në vendet e origjinës, duke kaluar sërish nga Italia.

Drejtuesja e opozitës italiane, Elly Schlein, kritikoi planin, duke thënë: "protokolli Rama-Meloni lejon që vetëm një pjesë e vogël e qendrave shqiptare të përdoren si CPR, kështu që konvertimi i tyre do të kërkonte ende rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë dhe ndryshimin e ligjit”.

“Të pretendosh se ky konvertim nuk do të kishte kosto shtesë është qesharake ", tha ajo.

Qeveria italiane vendosi që t’i kthejë qendrat e emigrantëve si qendra kthimi, një opsion që mund të bëhet i zbatueshëm sapo plani i komisionerit Magnus Brunner të hyjë në fuqi.

Ndonëse funksionale që nga tetori, qendrat e pritjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, Shqipëri, kanë mbetur bosh për shkak të mosmarrëveshjeve ligjore të vazhdueshme. Qendrat janë në pritje të një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë - që pritet deri në fund të majit - pasi Tribunali i Romës referoi çështjen për të përcaktuar se cilat vende mund të klasifikohen si "të sigurta" për emigrantët e kthyer.

Për të kapërcyer këtë ngërç përpara vendimit, qeveria italiane po shqyrton ripërdorimin e objekteve në Qendrat për Riatdhesimin e Përhershëm (CPR). Në vend që të strehojnë emigrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare, siç ishte planifikuar fillimisht, qendrat do të përdoren për të ndaluar migrantët e parregullt tashmë në Itali, të cilët janë caktuar për deportim.

Pas muajsh spekulimesh , ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi konfirmoi një pjesë të planit në një intervistë me La Stampa të hënën.

“Qendrat shqiptare mund të ndihmojnë në forcimin e sistemit të riatdhesimit për migrantët e parregullt që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Itali,” tha ai, duke shtuar se ato mund të shndërrohen në CPR sepse janë tashmë të pajisura për të trajtuar deportimet dhe se nuk do të ketë kosto shtesë.

Por sipas opozitës italiane, kjo do të kërkonte ndryshimin e marrëveshjeve ekzistuese me Shqipërinë. /Përshtati Pamfleti/

Lini një Përgjigje