
Emigrantët që do të akomodohen në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre. Megjithatë, pa marrëveshje të reja me qeverinë shqiptare, kthimi i tyre duhet të ndodhë sërish nga territori italian
Qeveria italiane miraton dekretin, përmes të cilit i ccelet rruga, transferimit në kampet e emigrantëve të ngritura në Shqipëri, edhe të personave të ndaluar në Itali, që janë në pritje të riatshesimit. Pra bazuar në dekretin e ri të Qeverisë italiane, në kampet e emigrantëve nuk do të akomodohen vetëm emigrantët e kapur në ujrat italiane, që do të presin procedurat e azilit, por edhe ata emigrantë që ndodhen në Itali dhe u janë refuzuar kërkesat për azil.
Duket se kjo është rruga që Qeveria Meloni ka gjetur për të vënë në punë qendrat e emigrantëve të ngritura në Gjadër, të cilat kanë mbetur bosh pasi Gjykatat në Itali e kanë konsideruar të paligjshëm transferimin e emigrantëve nga deti në Shqipëri.
Kjo “zhvillim”, shpjegojnë burime nga Pallati Chigi, është ndarë “në mënyrë joformale me Komisionin Europian”.
Nga Pallati Chigi specifikohet se marrëveshja me Shqipërinë, e nënshkruar nga Meloni dhe Rama, nuk e ndalon këtë ndryshim, pra akomodimin në Gjadër, edhe të emigrantëve që ndodhen të ndaluar në Itali, pasi iu është refuzuar azili dhe janë në pritje të dëbimit.
Në këtë mënyrë në Gjadër do të akomodohen emigrantët që duhet të riatdhesohen, pasi kërkesat e tyre janë shqyrtuar në Itali dhe janë refuzuar.
Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim nga ana e qeverisë italiane bie apo jo ndesh me marrëveshjen dypalëshe të firmosur me Shqipërinë, e cila parashikon që në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit të qëndrojnë përkohësisht vetëm emigrantë në pritje të azilit politik, dhe jo emigrantë që tashmë janë në pritje të dëbimit.
Sipas ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për "riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit". Ai shtoi se, brenda pak javësh apo muajsh, pritet një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që qeveria italiane beson se do të jetë në jetë në përputhje me qëndrimin e saj.
“Vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë pritet në verë. Ne kemi shumë besim, sepse mendojmë se jemi në anën e duhur dhe duke pasur parasysh se si po zhvillohet situata e re në Europë, besojmë se ky është hapi i fundit për rifillimin e zgjerimit të qendrave në Shqipëri. CPR ishte planifikuar tashmë, asgjë nuk ndryshon, shumë varet nga kombësia e njerëzve që do të riatdhesohen, metodat nuk do të ndryshojnë", tha Piantedosi.
Pra, referuar deklaratave, Qeveria italiane nuk po ndryshon destinacionin e qendrës, por synon ta përdorë edhe për akomodimin e emigrantëve të paligjshëm, që janë në pritje të dëbimit.
Fillimisht, kjo qendër ishte menduar për mbajtjen deri në 28 ditë të azilkërkuesve të shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane, të ardhur nga vendet e konsideruara të sigurta, për t'iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara të kufirit. Tani, emigrantët që do të akomodohen në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre. Megjithatë, pa marrëveshje të reja me qeverinë shqiptare, kthimi i tyre duhet të ndodhë sërish nga territori italian, shkruan ‘La Repubblica”.
Kjo do të thotë se emigrantët e paligjshëm të ndaluar në CPR e Ponte Galeria ( qendra e ndalimit të emigrantëve pranë Romës ) do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali, nga ku do të bëhet nisja përfundimtare drejt vendit të origjinës.
Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50% e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë.
Përveç këtyre sfidave praktike dhe financiare, operacioni ngre edhe dyshime ligjore. Rregullorja e re evropiane do të parashikojë qendra pritjeje në vende të treta, por jo më herët se viti 2027. Për momentin, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që lejon transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as ai i origjinës dhe as vend tranziti dhe "La Repubblica" shkruan se për këtë po shfrytëzohet një boshllëk ligjor si në Kodin Italian të Emigracionit ashtu edhe në direktivën aktuale të BE për kthimet. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje