Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi. Ai ka kërkuar lirimin nga burgu, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Treshja e gjyqtarëve të lartë e përbërë nga Ilir Panda, Medi Bici dhe Albana Boksi, e rrëzuan kërkesën. E njëjta trupë ka shqyrtuar të njëjtën kërkesë të paraqitur nga Berberi edhe më herët. Për të disatën herë kërkesat e Evis Berberit për masë më të butë sigurie janë rrëzuar qoftë nga GJKKO, Apeli i Posaçëm apo edhe nga Gjykata e Lartë.
Ish kreu i ARRSH mbahet në qelinë e paraburgimit që prej 14 marsit të vitit 2024. Bashkë me të në pranga u vendos Valter Begaj dhe Ervis Lami. Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga Shkalla e Parë, por Apeli i Posaçëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
SPAK thotë se gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por edhe në krye të ARRSH, Evis Berberi dha gjashtë tenderë për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.
Dy biznesmenët Lami dhe Begaj dyshohet se në bashkëpunim me Berberin, kanë bërë shitje fiktive të kompanisë së ish kreut të ARRSH dhe veprime të tjera fiktive duke bërë të mundur fshehjen e veprës penale të korrupsionit. Hetimet që kreu SPAK, treguan se përfitimi ka qenë rreth 2.2 milion euro që u investuan nga kompania “DAAM” shpk, në pasuri të paluajtshme.
Lini një Përgjigje