TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Janar 2026, 11:35

Ndërtimi i tregut të ri në Vlorë, tregtarët kundër: Tregojini Mersinit se çfarë po ndodh, ajo nuk na takon!

Shkruar nga Pamfleti

Ndërtimi i tregut të ri në Vlorë, tregtarët

Tensionet mes tregtarëve në Vlorë janë shtuar, të cilët kanë kundërshtuar urdhrin për t'u larguar nga vendet e tyre aktuale të punës.

Ata shprehen se nuk do të lëvizin derisa të ndërtohet një treg i ri dhe i mirëfilltë që plotëson kushtet bashkëkohore.

Në një deklaratë për mediat, një nga përfaqësuesit e tregtarëve theksoi se çdo lëvizje është e papranueshme pa u garantuar më parë një zgjidhje afatgjatë.

Sipas tyre, kërkesa kryesore është ndërtimi i një tregu të mbuluar, i cili të plotësojë të gjitha kushtet higjieno-sanitare, përfshirë ujë të rrjedhshëm dhe tualete.

"Ne kërkojmë një treg të mirëfilltë. Të jetë i mbuluar, jo të na thonë 'ik në trotuar'," u shpreh ai për “Syri Tv”, duke e cilësuar situatën aktuale si të patolerueshme.

Tregtarët argumentojnë se një zhvendosje e tyre në trotuare do të dëmtonte rëndë imazhin e Vlorës si qytet turistik.

Ata kritikojnë menaxhimin e situatës nga ana e Bashkisë, duke vënë në dyshim procesin vendimmarrës të autoriteteve lokale.

"Nuk e di me kë këshillohet kryetarja e bashkisë për këto probleme sociale. A kanë biseduar me ne?", shtoi përfaqësuesi i tyre, duke denoncuar një vendim që ka ardhur "nga lart", pa asnjë konsultim paraprak.

Qëndrimi i tregtarëve është i prerë: nuk do të ketë asnjë tërheqje derisa kërkesat e tyre të plotësohen. Megjithëse janë të hapur dhe dakord për idenë e një tregu të ri, ata refuzojnë kategorikisht të lirojnë hapësirat e tyre pa një alternativë konkrete dhe dinjitoze, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme dhe jo masa të improvizuara.

"Ne kërkojmë që atje asnjë mos të lëvizi në ato vendet pa u ndërtuar një treg i mirëfilltë. I mbuluar, me të gjitha kushtet.

Nuk është imazhi i Vlorës ky, Vlora turistike. Është e patolerueshme, e pafalshme. Nuk e di me kë këshillohet kjo kryetare e bashkisë. A ka këshilltarë aty që e këshillojnë për këto probleme sociale? A kanë biseduar me neve tregtarët aty që si u bëhet ju? Po jo direkt, vendosja i lartë dhe ne nuk e lëvizim. Është urdhri nga lartë.

Ne nuk largohemi nga aty. Nuk do largohemi nga tregu. Për një treg të ri jemi dakord”, përfundoi ai.

 

Lini një Përgjigje