TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Qershor 2025, 08:30

Ndahet nga jeta regjisori Leka Bungo

Shkruar nga Pamfleti
Ndahet nga jeta regjisori Leka Bungo
Regjisori Leka Bungo

Në vitin 2021 Leka Bungo u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues të RTSH-së, detyrë që e mbajti deri dy muaj para ndarjes nga jeta.

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori Leka Bungo.

Leka Bungo ka qenë një nga emrat e skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.

Pas viteve ’90 krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt humbi destinacionin e vet artistik, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenarë filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Në filmin e vitit 1990 Një djalë edhe një vajzë ai luajti rolin e Bardhylit. Ishte autor i skenarëve për disa filma artistikë.

Në vitin 2021 Leka Bungo u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues të RTSH-së, detyrë që e mbajti deri dy muaj (13 shkurt 2025) para ndarjes nga jeta.

Disa nga veprat e tij:

1966: Oshëtime në bregdet
1980: Pabesia (dramë)
1985: Tre njerëz me guna
1988: Mirela
1990: Një djalë edhe një vajzë – roli: Bardhyli, babai i Artanit
1991: Gjuetia e fundit
1992: Pas fasadës

Leka Bungo do të mbahet mend për krijimtarinë e tij në Estradën e Fierit, të Lushnjës dhe të Estradës së Shtetit në Tiranë, për vënien në skenë të disa prej humoreve shqiptare, si dhe për vitalitetin dhe këmbënguljen për të qenë aktiv deri në fund të jetës.

Varrimi bëhet sot në orën 16:00 në varrezat e Sharrës, ndërsa ngushëllimet priten në “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit.

Lini një Përgjigje