TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shkurt 2026, 13:30

“Na shkatërruan shtëpinë!”, banori në Bradashesh shpërthen ndaj 'Salillarit' pas përmbytjes

Shkruar nga Pamfleti

“Na shkatërruan shtëpinë!”, banori në Bradashesh

Punimet për Korridorin 8 vijojnë të shoqërohen me shqetësime në zonat e banuara ku kalon ky aks.

Gjatë fundjavës, në Bradashesh, banesa e familjes Meta u përmbyt si pasojë e reshjeve të shiut.  Sipas kryefamiljarit situata u përkeqësua pas ndërhyrjeve të kryera nga firma “Salillari” në shtratin e përroit të Kushes.

Ai deklaroi se rreth 500 metra katrorë sipërfaqe përreth banesës u mbuluan nga uji dhe skorjet e argjinaturës së dëmtuar.

Banori shprehet për "Syri Tv" se momentet e para ishin të vështira dhe se kjo është hera e dytë që përroi del nga shtrati që prej nisjes së punimeve, duke pretenduar se në shtratin e tij janë vendosur gjashtë këmbë ure.

Kryefamiljari deklaron se rrjedha e ujit mori me vete 20 koshere bletësh dhe rreth 80 pula, ndërsa arriti të shpëtojë lopën. Sipas tij, deri më tani nuk janë marrë masa për të shmangur përsëritjen e situatës.

Në lidhje me dëmshpërblimin, banori pretendon se drejtues të firmës zbatuese e kanë konsideruar përmbytjen si pasojë të faktorëve natyrorë dhe jo të punimeve në terren.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për mundësinë e përmbytjeve të tjera.

"I jemi drejtuar bashkisë për zgjidhje, por nuk kemi marrë përgjigje zyrtare", thotë një banor.

Lini një Përgjigje