Një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në Kukës mbeti i plagosur mesditën e djeshme në ambientet pranë institucionit arsimor.
Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, përballë së cilës po zhvillohen punime për rikonstruksionin e plotë të ish-shkollës së vjetër “Bajram Curri”, që do të përshtatet si shkollë profesionale.
Fëmija po luante me top dhe pasi topi përfundoi pranë kantierit, ai iu afrua për ta marrë. Në atë moment, materiale inerte ranë mbi të dhe e plagosën.
Mësues dhe nxënës e transportuan fillimisht në urgjencën e spitalit të Kukësit. Më pas, mjekët e dërguan në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime bëjnë me dije se në zonën e punimeve nuk ishin vendosur masat e nevojshme të sigurisë teknike. Gjatë ditës së sotme autoritetet izoluan plotësisht kantierin.
Ndërkohë, Inspektoriati i Punës ndërhyri duke bllokuar punimet dhe vendosi shirita sigurie, për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe masave mbrojtëse në kantier.
Policia ka nisur procedim penal për drejtuesin teknik dhe punonjësin e firmës që po kryente punimet.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasit:
K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Plagosja e lehtë nga pakujdesia”, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.
A. D., 62 vjeç, drejtuesi teknik i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e objektit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhej në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje