TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shkurt 2026, 18:04

Moti i keq shkakton rrëshqitje dheu në Delvinë dhe përmbytje në Orikum; niveli i detit rritet me 1.5 m

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq shkakton rrëshqitje dheu në Delvinë dhe përmbytje
Foto Ilustruese

Moti i rënduar ka krijuar probleme në disa zona të jugut të vendit, duke shkaktuar rrëshqitje dheu në Delvinë dhe përmbytje përgjatë vijës bregdetare të Orikumit.

Në Delvinë, situata më problematike është regjistruar në lagjen më të vjetër të qytetit, Beqirefend, ku janë konstatuar rrëshqitje të dukshme dheu. Sipas informacioneve nga terreni, masivi i dheut ka zbritur pranë disa banesave, por fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz.

Si pasojë e rrezikut të krijuar, disa familje janë evakuuar, ndonëse ende nuk ka një numër zyrtar mbi sa banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Në terren kanë ndërhyrë shërbimet e Bashkisë Delvinë, si dhe vetë banorë të zonës, me qëllim stabilizimin e situatës dhe shmangien e rrezikut të mëtejshëm.

Nga rrëshqitja është prekur edhe një qepariz rreth 500-vjeçar, i cili është marrë përpara nga masivi i dheut, duke rrëshqitur bashkë me të.

Probleme janë shënuar edhe në vijën bregdetare të Orikumit, ku një valë e fortë uji ka depërtuar në zonën urbane. Për pasojë, janë përmbytur disa biznese dhe banesa pranë bregut, ndërsa uji ka mbuluar edhe rrugën kryesore përgjatë vijës detare.

Banorët e zonës e kanë cilësuar situatën të pazakontë, ndërsa paraprakisht besohet se fenomeni lidhet me kushte natyrore, si batica, era e fortë dhe deti me dallgë të larta. Niveli i detit u rrit me afro 1.5 m.

Po ashtu Qarku i Kukësit është përfshirë në orët e mesditës nga reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.

Borë ka rënë edhe në segmentin Fushë Dukagjin–Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit. Aktualisht rruga është e qarkullueshme, ndërsa mjetet borëpastruese të kompanisë mirëmbajtëse ndodhen në terren për kriposje dhe pastrim të segmentit.

Ndërkohë, subjekti kontraktor që ka në mirëmbajtje rrugët nacionale në Tropojë bën me dije se si pasojë e reshjeve ka pasur rënie inertesh dhe gurësh në aksin Dushaj–Lekbibaj. Nga kompania “Florida” po punohet për pastrimin dhe kthimin në normalitet të këtij aksi rrugor. Qarkullimi i mjeteve nuk është penguar.

permbytje dhera

Lini një Përgjigje