Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën “arrest në burg” për shtetasin italian Cosimo Notaristefano, i ndaluar në kuadër të operacionit të SPAK ndaj një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare në një nga kullat e Tiranës.
Policia e arrestoi Notaristefanon në Portin e Durrësit, ndërsa po largohej drejt Italisë. Në seancë ai deklaroi se kishte qenë i punësuar në këtë strukturë dhe se kryente shërbime teknike. Sipas tij, nuk kishte rol në investimet e shtetasve të huaj dhe nuk kishte dijeni për skemën e dyshuar të mashtrimit. Ai tha se nuk e dinte që ishte shpallur në kërkim dhe se udhëtimin drejt Italisë e kryente çdo dy muaj.
Notaristefano paraqiti edhe pretendime për probleme shëndetësore dhe kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë, përfshirë garanci pasurore. Gjykata rrëzoi kërkesën dhe la në fuqi arrestin me burg.
Nga i njëjti operacion janë arrestuar edhe tetë persona të tjerë, ndërsa tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, janë shpallur në kërkim si drejtues të dyshuar të skemës.
Hetimi nisi pas ankesave të disa shtetasve italianë që pretenduan se janë mashtruar. Sipas të dhënave të hetimit, në aktivitet janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe italianë, ndërsa përfitimet e dyshuara nga aktiviteti kalonin në kriptovaluta dhe administroheshin përmes portofoleve virtuale të kontrolluara nga organizatorët.
Lini një Përgjigje