
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar për kushte të paqëndrueshme atmosferike që priten gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në disa qarqe të vendit.
Vendi ynë pritet të përfshihet sërish nga moti i keq. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), parashikohen reshje shiu, lokalisht intensive të shoqëruara me shtrëngata.
Në këtë kuadër, është kërkuar rritje e gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile, si dhe nga institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese.
Ministria u ka bërë thirrje bashkive në zonat me risk më të lartë për përmbytje që të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren.
Prefekturat janë udhëzuar të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatën pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.
(IGJEO) informoi se sot dhe nesër në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarqet Shkodër dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet e tjera reshjet priten mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në veri, lindje dhe juglindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Në fillim të këtij muaji, Shqipëria u përball me përmbytje masive nga veriu në jug. Dëmet ishin kolosale, sidomos në zonën e Durrësit, Lezhës, Gjirokastrës. Dëme të mëdha pësoi edhe sektori i bujqësisë, ndërsa gjithashtu u dëmtuan dhe akse rrugore.
Lini një Përgjigje