Numërimi i popullsisë sjell në Shqipëri edhe zëvendëspresidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova.
Procesi në vendin tonë konsiderohet i një rëndësie të veçantë për Sofien, për shkak se do të jetë hera e parë që bullgarët që jetojnë në Shqipëri do të identifikohen si minoritarë.
Minoriteti bullgar u njoh në vitin 2017-të, ndërsa numri zyrtar i tyre do të përcaktohet nga Censi që nis më 18 shtator.
Gjatë vizitës në Shqipëri, zëvendëspresidentja bullgare do të vizitojë zonat ku jeton minoriteti bullgar, do të vizitojë shkollën bullgare në Elbasan dhe do të takohet me zyrtarë të lartë, përfshirë presidentin Bajram Begaj.
Në Shqipëri me 18 shtator Instituti i Statistikave pritet të nisë Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave, një proces që do të zgjasë për gjashtë javë.
Censusi 2023 është ngjarja më e rëndësishme statistikore e vendit, dhe në të do të përfshihen mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë të trajnuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Ata do të regjistrojnë të dhëna mbi popullsinë, tipare demografike, sociale dhe ekonomike të detajuara në rrafsh gjeografik, që kanë të bëjnë me strehimin, arsimin, shëndetësinë, dhe punësimin.
“Përgatitja e Censusit këtë vit bazohet në standarte europiane, në ligje të përmirësuara vendase dhe në teknologji bashkëkohore. Censusi i Shqipërisë këtë vit ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian për statistika profesionale”, tha drejtorja e INSTAT-it, Elsa Dhuli.
Lini një Përgjigje