Gjykata refuzon garancinë e Beqajt prej 50 mln lekë, e lë në burg bashkë me Ermal Kurtulajn…
Nuk ka liri për Ilir Beqajn. Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli ish-ministrin dhe njëherësh ish-kreun e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Ai akuzohet se kur ishte në krye të SASPAC ka përvetësuar fondet e BE. Në qeli u la edhe bashkëpunëtori tij, Ermal Kurtulaj.
Ilir Beqaj u arrestua pas një aksioni të SPAK, teksa sot doli para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë. Vetë Beqaj mohoi akuzat dhe kërkoi masë më të butë në këmbim të garancisë pasurore. Ai ofroi si garanci 5 mln lekë të reja, por duket se milionat e vjedhura nuk e shpëtuan dot.
Arrest me burg është vendosur për Ilir Beqajn ish-ministër dhe ish-drejtor i SASPAC, bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj, koordinator i projektit EUSAIR. Për Alfred Nikollën, drejtori Administrativ i ‘Landways International’ ka ndryshuar masa nga arret me burg; në arrest shtëpie. Ndërkohë, arrest shtëpie është caktuar për Elton Marinin, ortak i shoqërisë private dhe Gazmend Haxhian, pronari i ‘Landways International’, por për të nuk është ekzekutuar masa e sigurisë, pasi ndodhet jashtë shtetit. Në detyrim paraqitje janë lënë edhe Bledar Leka e Bjona Zijaj, konsulentë financiarë.
Pas këtij vendimi, pritet që Beqaj tani të transferohet në një nga burgjet ku janë shumë kolegë të tij socialistë, që po ashtu kanë ngrënë kumbulla pas shpinës së Ramës. Në Durrës dhe në Fier ka shumë kolegë të tij që me gjasë disa do t'i ketë “shokë qelie”.
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish-ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij.
Ndërkohë janë zbardhur detaje nga seanca. SPAK pretendon se Beqaj ka fshehur pronësinë e një automjeti, i cili përdorej nga Kurtulaj, por që në fakt ka qenë i ish-ministrit.
Beqaj tha se një automjet të tillë s’kishte pse ta fshihte, pasi me të ardhurat që ka mund ta justifikojë. Ai shtoi se nuk ka as patentë dhe as automjet dhe ndaj lëviz gjithmonë si pasagjer.
“Unë gjithmonë hipi pasagjer se s'kam patentë. Një makinë të tillë mund ta përdor pa problem me të ardhurat që kam, mund të përballoj jo shpenzimet e kësaj makine, por disa të tilla me të ardhurat që kam, s’kam arsye ta fsheh”, tha ai.
Për sa i takon përfshirjes së gruas si bashkëpronare në restorantin Gzona, Beqaj tha se iu kërkua nga një mik biznesmen për të tërhequr klientë të sferës së lartë.
“Kur është futur bashkëshortja te “Gzona”, ishte fat që një mik i përbashkët kishte interes për të bashkëpunuar në biznes. Kjo për faktin se shihej si mundësi për të ofruar, për shkak të njohjes me klientë të sferës së lartë”, tha Beqaj.
Edhe Ermal Kurtulaj kërkoi masë më të butë sigurie, duke lënë garanci pasurore automjetin tip Audi Q7 që sapo e kishte shitur.
“Sapo kam shitur automjetin Audi Q7, mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore”, tha ai. Por të dy do të qëndrojnë në qeli, pasi GJKKO nuk ka pranuar argumentet dhe ofertat e tyre. /Pamfleti
Lini një Përgjigje