
Autoriteti i Dosjeve ka reaguar para vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi vendimin që detyron prokurorinë të hetojë akuzat ndaj Ilir Metës.
Ky i fundit u akuza nga Autoriteti si spiun i Sigurimit, por kreu i PL bëri padi për abuzime me detyrën. Prokuroria pushoi hetimet, por Gjykata e Tiranës rrëzoi vendimin dhe kërkoi që të hetohet AIDSSH se si arrit në përfundimin se Meta ka qenë spiun.
Prokuroria e ankimoi dhe Apeli la sot në fuqi vendimin e Shkallës së parë, që do të thotë se duhet të hetohet Autoriteti i Dosjeve. Deri më sot ky autoritet nuk e ka bërë publike dosjen. Ndërkohë që ka ardhur dhe një reagim pak më parë, ku kërkohet nga prokuroria që të ketë ankimim në Gjykatën e Lartë.
“Autoriteti u njoh nëpërmjet medias me njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë,
Autoriteti për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit deklaron se është në pritje të vendimit të arsyetuar dhe siguron publikun se në veprimtarinë e tij zbaton parimet kushtetuese dhe ligjin e veçantë me të cilin normohet veprimtaria e tij institucionale, si dhe respekton parimet e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që ka çdo institucion.
Parimisht, si në çdo rast kur vendimet përmbajnë detyrime për Autoritetin, Autoriteti vepron duke zbatuar detyrimet e përcaktuara nga gjykata ose i ankimon vendimet në gjykatat më të larta.
Autoriteti vlerëson ndjekjen e të njëjtës rrugë edhe nga institucione të tjera, sipas kompetencave, si dhe është i hapur për bashkëpunime me të gjitha institucioneve në përputhje me ligjin në fuqi të Republikës së Shqipërisë”, thekson Autoriteti i Dosjeve.
Vetë AIDSSH nuk thotë ende se kur do ta zbardhë dosjen e Ilir Metës, ndonëse ligji u miratua dhe nuk ka asnjë pengesë.
Lini një Përgjigje