
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot rekursin e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’.
Meta, përmes mbrojtësve ligjorë, kërkon prishjen e vendimeve të dy shkallëve të Gjykatës Speciale, që i kanë caktuar ish-Presidentit masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Ish-Presidenti e ka konsideruar arrestimin si politik, ndërsa ka paralajmëruar vijimin e betejës ligjore deri në Strasburg.
Relatore e rekursit është zgjedhur Albana Boksi, ndërsa anëtarët janë Sokol Binaj dhe Medi Bici.
Ish-presidenti i vendit mbahet në qeli prej muajit tetor 2024, pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Edhe Monika Kryemadhi përballet me të njëjtat akuza si ish bashkëshorti i saj, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Lini një Përgjigje