TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Tetor 2025, 22:47

“SPAK po zhbalancon opozitën”, Sulo: Dumani i papërgatitur për presionin e medias

Shkruar nga Pamfleti

“SPAK po zhbalancon opozitën”, Sulo: Dumani i papërgatitur

Analisti Arion Sulo duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, foli edhe sa i takon përballjes së Altin Dumanit me deputetët ditën e djeshme. Sa i takon polemikave mbi publikimin e materialeve nga dosjet e SPAK, ai theksoi se dokumentet në format PDF që qarkullojnë në telefon nuk janë produkt i mediave, por pjesë e një qarkullimi informal që nuk mund t’i atribuohet gazetarisë.

Të dalë kreu i SPAK dhe të ankohet për median, është sikur të na kërkojë të mbyllim gojën dhe të mos flasim”, tha Sulo në emisionin “Trialog” në RTSH1.

Ai shtoi se kritikat ndaj SPAK nuk duhet të konsiderohen presion, por reagim normal në një shoqëri demokratike.

“Nuk e di kush janë mediat që i bëjnë presion z. Dumani, por nëse ka gazetarë apo analistë që i thonë se nuk ke hetuar këtë çështje apo atë, nuk mendoj se është presion – është kritikë. ‘Heto më shpejt’, ‘je selektiv’ – kjo është kritikë pozitive. Edhe nëse një politikan e akuzon përanshmëri, kjo është normale,” u shpreh ai.

Sulo analizoi edhe profilin e drejtuesve të SPAK, duke thënë se ata janë zakonisht figura të mbyllura, introverte dhe jo të mësuar me ekspozimin mediatik.

“Unë mendoj se ai nuk është mësuar me këtë presion. Si prokurorë, janë të mësuar me një tipologji njerëzore shumë të heshtur, shumë kërkues, jo në fokusin e medias. Nuk japin konferenca për shtyp, nuk dalin dhe nuk e kanë të mësuar,” tha ai.

Sulo artikuloi një kritikë duke deklaruar se “SPAK, për mua, është duke goditur opozitën, duke zhbalancuar demokracinë në Shqipëri.”

Lini një Përgjigje