Këtë të mërkurë në GJKKO po zhvillohet seanca e themelit ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Të dy janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Gjatë seancës, Meta ka vijuar vetëmbrojtjen, duke u ndalur te çështja CEZ-DIA. Ai ka hedhur poshtë deklarimet e bëra nga Dritan Prifti, duke i cilësuar ato si të pavërteta.
“Do bëj dy plotësime për CEZ DIA. Gënjeshtrat e Dritan Priftit janë mes nesh. Ky ka thënë që jam përfshirë unë te CEZ DIA. Ka një email që i ka dërguar Ervis Mataj më 16 prill. I ka shkruar avokatit që kjo puna e DIA-s është korruptive. Nuk përmendet as emri im, as emri i Berishës. Ky Dritan Prifti thotë që “nuk kam firmosur kurrë, mund ta kem takuar…”, deklaroi ish-presidenti.
Meta përmendi gjithashtu dëshminë e një prej ish-drejtuesve të CEZ, Josef Heisek. Sipas tij, Heisek ka deklaruar në vitin 2011 se nuk e njihte Kastriot Ismailajn, ndërsa më vonë ka thënë se prezantimi ishte bërë nga Qazim Tepshi, ambasadori i Shqipërisë në Çeki.
“Në dëshminë e tij, z. Heisek në 2011 thotë:
Nuk e njoh personin që më prezantoi CEZ DIA. Më pas, në 2014, kujton se ia prezantoi Qazim Tepshi. Ishin disa kompani, ka thënë ai, dhe ne morëm disa të dhëna për DIA-n. Ajo që na bindi ishte DIA amerikane”, citon Meta.
Sipas dëshmive të administruara në dosjet hetimore dhe në arbitrazh, Qazim Tepshi, në atë kohë ambasador i Shqipërisë në Çeki, ka qenë personi që ka prezantuar biznesmenin Kastriot Ismailaj me drejtuesit e kompanisë CEZ në Pragë.
Më tej, Meta kundërshtoi edhe pretendimin e SPAK lidhur me një mesazh të vitit 2009 për shumën “200 mijë”. Ai tha se nuk ka prova që mesazhi të jetë dërguar prej tij dhe se një gjë e tillë nuk rezulton në dosje.
“Më sill mua patronazhistin që e ka nisur. Është shumë e thjeshtë me teknologjinë që ka avancuar që të niset një mesazh i tillë. Unë isha në opozitë. Është e pamundur që unë të nisja një mesazh të tillë për diçka që do të ndodhte 14 muaj më pas.”, deklaroi Meta.
Lini një Përgjigje