
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Lazer Sallaku është shkarkuar nga detyra.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi nga detyra gjyqtarin Lazer Sallaku, i cili mbylli dosjet e bujshme me të kallëzuar Lulzim Basha, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, Ridvan Bode dhe Genc Ruli.
Gjyqtarit të Tiranës i janë konstatuar probleme me pasurinë dhe nuk e ka kaluar shkallën e parë të vettingut.
Lazer Sallaku, u përball të mërkurën më 24 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi bilancet negative kryesisht në blerjen e një apartamenti. Në kriterin profesional, Sallaku dha shpjegime për pushimin e çështjes së privatizimit të CEZ Shpërndarje.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Sallaku po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Lazer Sallaku ka punuar si avokat përpara se të niste karrierën në sistemin e drejtësisë, si inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2007. Ai u emërua gjyqtar në vitin 2010 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2013, Sallaku punon si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Bilancet negative
Si burime krijimi të një apartamenti në Tiranë, të rezervuar në vitin 2014 kundrejt vlerës 46,323 euro, subjekti ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash.
Ndërkohë, pas zgjidhjes së martesës, ka deklaruar se i ka kthyer ish-bashkëshortes vlerën 45 mijë euro dhe apartamenti është regjistruar vetëm në emrin e tij. Si burim të shumës 45 mijë euro dhënë bashkëshortes pas divorcit, Sallaku ka deklaruar një kredi në vlerën 36 mijë euro dhe një hua nga një kushëri në shumën 11 mijë euro. Bekteshi sqaroi se vërtetohej kalimi i vlerës 45 mijë euro në llogarinë e ish-bashkëshortes, si dhe nuk janë gjetur probleme në burimet e kësaj shume.
Subjekti ka shpjeguar për Komisionin se kursimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në vitin 2014, ishin krijuar nga pagat e tij e të ish-bashkëshortes, si dhe një dhurim në vlerën 40 mijë euro të përfituar nga kjo e fundit prej nënës së saj të ndjerë.
Kur Sallakut i është kërkuar që të vërtetojë mundësinë financiare të ish-vjehrrës për dhurimin e vlerës 40 mijë euro me burime të ligjshme, ai ka këmbëngulur se kjo shumë ishte krijuar përpara lidhjes së martesës. Ai ka sqaruar se aktualisht nuk ka komunikim me ish-bashkëshorten dhe nuk e ka të mundur të sigurojë të dhëna dhe dokumentacion.
Megjithatë, ai ka vendosur në dispozicion të Komisionit një mandat pagese në vlerën 46 mijë euro në favor të ish-vjehrrës në vitin 2004. Por, Bekteshi konstatoi se pas tërheqjes së kësaj shume rezulton se ish-vjehrra ka blerë një pasuri në shumën rreth 3 milionë lekë.
Bazuar në këto të dhëna, Komisioni nuk e ka konsideruar në analizën financiare për blerjen e apartamentit vlerën 40 mijë euro, prej nga ka rezultuar pamundësi për krijimin e kësaj pasurie.
Po ashtu, janë konstatuar balanca negative dhe në vitet 2010-2011.
E njëjta situatë është paraqitur dhe për blerjen e një garazhi për çmimin 7500 euro, pasi janë deklaruar të njëjtat burime.
Sallaku vërejti se ka punuar 20 vjet si gjyqtar dhe 7 vjet si avokat, ndërkohë që pasuria që ai tha se zotëron, përbëhet nga një apartament për të cilin aktualisht i duhet të shlyejë kredinë 36 mijë euro dhe huanë 11 mijë euro, të marra me qëllim kthimin e shumës 45 mijë euro ish-bashkëshortes. Për garazhin sqaroi se ende nuk e kishte në pronësi të tij.
Ai deklaroi se ishte e provuar se i kishte kthyer ish-bashkëshortes shumën 45 mijë euro. Sipas tij, ky fakt tregon se i ka kthyer vlerën që i është dhuruar nga e ëma, të cilën e cilësoi si pasuri vetjake të sajën.
Sallaku dhe ish-bashkëshotja kanë rezultuar me mundësi financiare për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2015 kundrejt shumë 200 mijë lekë.
Po ashtu, ka rezultuar se ish-bashkëshortja ka pasur mundësi dhe për blerjen e një automjeti tjetër në vitin 2014 për shumën 7000 euro, ku si burim krijimi ka shërbyer trashëgimia ligjore nga babai i saj i 1/3-ës të vlerës së shitjes të një apartamenti.
Dosjet e bujshme që mbylli Lazer Sallaku
Emri i gjyqtarit të Tiranës lidhet me mbylljen e dosjes së lobimit rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes CEZ, me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ku të kallëzuar ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, sekseri kyç Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Florion Mima, ish-zëvendësministra, ish-drejtorë etj.
Lazer Sallaku ka marrë pjesë edhe në rigjykimin e rolit të ish truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhaj, në vrasjen e Azem Hajdarit, konsideruar si ‘vrasja e shekullit’. Haxhia u dënua në 11 shkurt 2022 me 21 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Në vendim thuhet se vrasja e Azem Hajdarit nuk është politike, por për shkak të hakmarrjes, konkretisht për të marrë hak për vrasjen e Shkëlqim Haklajt.
Lini një Përgjigje