
Policia Shqiptare e shiti si sukses të sajin, por në fakt operacioni ka qenë i policisë së Venecias
Italia ka rrëzuar propagandën e Ilir Prodës, sa i takon arrestimeve jashtë vendit. Sot policia njoftoi në media një operacion të gjerë në Dubai ku u arrestua Bujar Sefa, pjesë e grupit të Rrajave. Policia e shiti si një sukses të saj, duke u mburrur se një tjetër i kërkuar ndërkombëtar u arrestua.
“Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar ‘The Wanted’, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit: – B. S. alias B. X., 39 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’...”, tha policia.
Por realiteti është ndryshe. Operacioni është drejtuar nga policia italiane. Ai është në kërkim nga policia e Venecias, pasi rezulton i dënuar me 10 vite burg për trafik droge. Kanë qenë pikërisht italianët që kanë gjetur vendndodhjen e tij. Sipas një artikulli të “Il Gazzettin”, autoritetet italiane ishin duke monitoruar familjarët e tij dhe gruaja e tij ka shkuar në Dubai, duke gjetur dhe vendin ku strehohej. Ndërkohë vetë policia shqiptare nuk e ka përmendur fare këtë fakt dhe madje nuk e përmend fare policinë italiane.
Artikulli i plotë
“Herët a më vonë, i kapim të gjithë” është motoja e policisë italiane të Shtetit dhe, siç dëshmon ky rast, kjo është më shumë se një slogan. Jetesa në arrati bëhet çdo ditë më e vështirë për të kërkuarit e drejtësisë, edhe kur ata strehohen jashtë vendit. Bashkëpunimi mes policive ndërkombëtare, teknologjitë e avancuara dhe këmbëngulja e hetuesve për të çuar deri në fund misionin e tyre kanë dhënë rezultat: Bujar Sefa, 39 vjeç, shqiptar me banim të gjatë në Noale (provinca e Venecias), është arrestuar në Dubai, aty ku kishte ndërtuar një “mërgim të artë”.
Sefa ishte dënuar në total me 10 vjet e 2 muaj burg për trafik ndërkombëtar të drogës, nga të cilat kishte vuajtur 2 vjet e 10 muaj në paraburgim gjatë vitit 2018. Ai nuk ishte një figurë e rëndomtë e botës së krimit, por një bos i vërtetë i një organizate që, në dekadën e dytë të viteve 2000, kishte përmbytur provincat italiane të Venecias dhe Trevisos me dhjetëra kilogramë kokainë, kryesisht në zonat Mestre, Scorzè, Noventa di Piave, Jesolo dhe më gjerë. Droga vinte nga Holanda dhe Shqipëria, dhe shpërndahej në rrjete të sofistikuara të kontrolluara nga struktura kriminale ku Sefa kishte rol drejtues.
Arrestimi
Ai u arrestua falë një gabimi fatal: bashkëshortja e tij, shtatzënë me fëmijën e tyre, udhëtoi drejt Dubait për të kaluar pushimet e fundvitit së bashku me të. Policia e Venecias prej kohësh kishte informacion mbi vendndodhjen e tij dhe mbante nën vëzhgim të afërmit e ngushtë, në pritje të një lëvizjeje të tillë. Me një koordinim të ngushtë mes Shërbimit Qendror Operativ të Romës (SCO), policisë shqiptare dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe, operacioni u finalizua.
Kreu i policisë së Venecias, Eugenio Masino, u njoftua në orën pesë të mëngjesit për ekzekutimin e urdhrit të arrestit, të lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Venecias, për një dënim përfundimtar prej 7 vjet, 3 muaj dhe 10 ditë burg. “E kishim prej kohësh të qartë ku ndodhej Sefa, por sfida ishte ta finalizonim arrestimin. Nga pala italiane kishim gjithçka të përgatitur: kërkesën ndërkombëtare dhe autorizimin për arrest provizor. Falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet emiratase dhe shqiptare, arritëm ta konkretizonim gjithçka në kohë”, shpjegoi Masino.
Ai shtoi se deri në momentin e fundit ekzistonte dyshimi se gruaja e tij nuk do ta përballonte udhëtimin për shkak të shtatzënisë dhe që çifti mund të takohej në Shqipëri apo në ndonjë vend të tretë. “Por ne ishim të përgatitur për çdo eventualitet,” theksoi Masino.
Që kur ka marrë drejtimin e ekipit hetimor të Venecias rreth një vit e gjysmë më parë, Masino e ka kthyer në prioritet identifikimin dhe arrestimin e figurave të rënda në arrati. “Para disa muajsh arrestuam një tjetër në Zvicër. Sot, narkotrafiku është i dominuar nga grupe shqiptare, të cilët kanë ndërtuar struktura që garojnë seriozisht me krimin e organizuar italian. Ata janë kthyer në ‘primula rossa’ të krimit ndërkombëtar”, tha ai.
Dënimet
Dënimi përfundimtar i Bujar Sefës vjen nga tre procese të ndryshme penale, në të cilat ai ishte i mbrojtur nga avokati Fabio Crea. Në Venecia u dënua në shkallën e parë me 12 vjet e 9 muaj, dënim që iu ul në 5 vjet e 4 muaj. Në Bolonjë, u dënua me 3 vjet e 4 muaj, që u bashkua me dënimin në Venecia për një total prej 5 vjet e 10 muaj. Ndërkohë, në Padova ishte dënuar edhe për një rast dhune me 1 vit e 6 muaj burg.
Arrestimi i Sefës është përshëndetur publikisht nga presidenti i rajonit, Alberto Stefani, i cili e cilësoi trafikimin e drogës si një plagë që helmon qytetet dhe fuqizon krimin e organizuar. “Faleminderit Policisë së Shtetit, Njësisë Operative Qendrore, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe autoriteteve të Emirateve. Ky është një rezultat që tregon se krimi nuk ka strehë të sigurt askund”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje